Mjedisi: “Bankers” ishte pezulluar. Rezultoi me shkelje të kushteve të sigurisë

01/04/2015 00:00

Shkaqet e shpërthimeve të ujit dhe gazit në Patos-Marinzë janë ende të papërcaktuara. Ministria e Mjedisit dhe kreu i Inpektoriatit Mjedisor, Ergys Agasi thonë se aktiviteti i kompanisë “Bankers Petroleum Albania” ishte urdhëruar të pezullohej që në 27 shkurt të këtij viti.

Ky vendim ishte marrë pasi nga një inspektim i bërë ka rezultuar me një sërë shkeljesh që mund të lidhen edhe me aksidentin, ndotjen e mjedisit  apo rrezikun e përmbytjes së zonës për shkak se të gjitha gropat ekologjike nuk kishin më kapacitet depozitues.

“Një nga çështjet kryesore për ndotjen e mjedisit është situata e gropave ekologjike, në të cilat janë depozituar mbetjet e shpimeve dhe prodhimit të naftës bruto, që përbëjnë një rrezikshmëri. Me urdhër të ministrit Lefter Koka i është kërkuar ‘Bankers Petroleum Albania’ me qëllim parandalimin e aksidenteve të mundshme për ndotjen dhe potencialin në mjedis që kjo kompani duhet të zbatojë këto masa; një, pezullimi i aktiviteteve të kompanisë deri në paraqitjen e një plani për menaxhimin e mbetjeve. Dy, hartimi i planit të përputhshmërisë si dhe rishikimi i të gjitha kushteve të lejeve mjedisore që kompania zotëron”, deklaroi Agasi.

Urdhëri i ministrisë së Mjedisit për pezullimin e aktivitetit të kompanisë “Bankers Petroleum Albania” i është vënë në dijeni edhe ministrisë së Energjisë, Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, kompanisë “Albpetrol” dhe prefekturës së Fierit.

Sipas Agasit, kompanisë i ishin lënë disa rekomandime, ndërkohë që drejt Marinzës është nisur një laborator lëvizës për të matur nivelin e ndotjes.

“Kompania në përputhje me planin e menaxhimit duhet të nisë hartimin e planit të masave për trajtimin e mbetjeve që gjenerohen nga ky aktivitet dhe të mos lejohet më depozitimi i këtyre mbetjeve në gropat ekologjike. Menaxhimi i mbetjeve të të gjitha llojeve duhet të bëhet në përputhje me kuadrin e ri ligjor. Heqja e masës së pezullimit të aktivitetit të kësaj kompania do të bëhet vetëm pas vlerësimit të realizimit të këtyre masave të vendosura me urdhër të ministri të Mjedisit. Inspektoriati Mjedisor për të ndihmuar në terren banorët atje. Një laborator i lëvizshëm është dërguar menjëherë në terren për të kryer matjen e nivelit të ndotjes.

Kompanisë “Bankers  Petroleum”,  sipas Agasit do t’i riaktivizohej leja e ushtrimit të aktiviteti vetëm pasi të përmbushte detyrimet e përcaktuara nga Inspektoriati dhe ministria e Mjedisit.

Top Channel