Hapet zyra për gjetjen e të zhdukurve gjatë diktaturës

01/04/2015 00:00

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe e Rinisë njoftoi këtë të mërkurë
hapjen e një zyre për gjetjen e të zhdukurve gjatë periudhës së
diktaturës.

 

Në një tryezë konsultuese me aktorët e përfshirë në procesin e gjetjes së personave të zhdukur në vitet e diktaturës, zv.ministrja e MSR-së, Gentjana Sula, tha se “shteti dhe shoqëria u ka borxh të gjithë atyre personave që sot e kësaj dite nuk kanë gjetur prehje”.

“Hapja e zyrës për Personat e Zhdukur pranë Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë është një hap mjaft i rëndësishëm i kësaj qeverie, jo vetëm administrativ, por edhe moral, për të ndihmuar dhe lehtësuar kalvarin shumë vjeçar të familjarëve të të zhdukurve”, tha Sula.

Krahas dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë dhe hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas zv.ministres Sula, qeveria është angazhuar edhe në gjetjen e të zhdukurve gjatë regjimit komunist, si një detyrim moral ndaj të gjithë shtrese, por në veçanti ndaj familjeve të viktimave që sot nuk kanë një varr.

Për këtë qëllim, pranë Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, do të krijohet sektori i të zhdukurve, si një portë pritëse e të gjitha kërkesave dhe informacioneve mbi procesin e gjetjes së personave të zhdukur gjatë periudhës së diktaturës.

Zv.ministrja Sula tha më tej se, hapja e kësaj zyre ka për qëllim të krijojë një databazë fillestare mbi personat e zhdukur, me të dhënat e tyre minimale si, emri, mbiemri, gjinia, vendi dhe data e lindjes, vendi dhe data ose (në pamundësi) viti i supozuar i zhdukjes dhe rrethanat e zhdukjes, si dhe të mbledhë informacione, të ndjekë dhe monitorojë procesin e kërkimit dhe zhvarrosjes së personave të zhdukur, duke bashkëpunuar dhe koordinuar me institucionet e tjera përgjegjëse.

Zyra do të bëjë edhe mbledhjen e dëshmive të ndryshme nga vetë ish të burgosurit, të cilët janë gjallë, si dhe familjaret e pushkatuarve me ose pa gjyq, si një ndihmesë për identifikimin e varrezave masive.

Por suksesi i kësaj nisme do të varet shumë edhe nga bashkëpunimi dhe përvoja që do të sjellin përfaqësuesit e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur. Përfaqësuesi i këtij komisioni, Matthew Holliday, në fjalën e tij, solli përvojën e këtij institucioni ndërkombëtar në Bosnje dhe Kosovë, në kërkimin e personave të humbur.

“Gjatë bisedës që pata me zëvendësministren më pyeti: a mund të bëhet, a mund të gjenden? Janë rreth 6 mijë persona, të cilët nuk gjenden që nga periudha e komunizmit. Dua të përmend këtu eksperiencën e vendeve të ish-Jugosllavisë: në fund të konfliktit në Bosnje ishin 32 mijë persona të humbur që nuk gjendeshin. Sot, pas asistencës tonë dhe punës që është bërë nga autoritetet në Bosnje, më shumë se 70% e trupave janë gjetur dhe identifikuar. Pra, afro 23 mijë persona. Kjo tregon se personat e humbur mund të gjenden dhe të identifikohen. Kemi një sistem tepër të sofistikuar për indentifikimin nëpërmjet ADN-së. Ofrojmë asistencë teknike në mjekësinë ligjore dhe në antropologji”, tha z. Holliday.

Numri i përafërt i personave të zhdukur përgjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri në vitin 1991 llogaritet të jetë 6000. Ndërsa është evidentuar gjithashtu, se numri i varreve masive të paidentifikuar dhe pothuajse të pazbuluar asnjëherë shtrihet në të gjithë vendin në rreth 30 vende ekzekutimi.

Top Channel