Kriza financiare, Athina me sytë nga Pekini dhe Moska

31/03/2015 00:00

E gjendur në një tjetër moment të vështirë, Greqia duket se po tenton ta financojë ekonominë e çalë të saj me burime nga jashtë Bashkimit Eropian.

Athina po i hedh sytë nga Kina dhe Moska për para, gjë që ngjall shqetësime në radhët e Unionit të kontinentit të vjetër.

Përfaqësues të qeverisë greke ia konfirmuan këtë numrit online të së shtunës të revistës “Der Spiegel” kur thanë se shteti helen po përpiqet të sigurojë investime dhe financime jashtë bllokut europian.

Interesi i Pekinit dhe investimet e tij në Greqi nuk janë temë e re, thote “Deutsche Welle”, ashtu siç nuk tërheqin vëmendjen planet e qeverisë greke, që portin e Pireut t’ua “shesë” plotësisht kinezëve.

Kinezët kanë në këtë port gjithësesi një pjesë të aksioneve me grupin e tyre Cosco, kujton në numrin e së dielës “Neue Zürcher Zeitung”.

Ajo që ka tërhequr vëmendjen evropianëve dhe ka sjellë dhe reagimet e para janë planet e Athinës për të kërkuar mbështetje ekonomike nga Rusia.

Meqenëse negociatat e Athinës me Brukselin për financimin e borxheve greke po avancojnë me shumë vështirësi, Greqia luan kartën e pozicionit të saj gjeopolitik.

Sipas informacioneve të “Spiegel”, Greqia është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me Rusinë për ta siguruar ndikimin rus në tregun energjitik të rajonit.

Athina do të përshëndeste investimet ruse dhe kineze edhe në sipërmarrjet shtetërore greke me humbje, si në hekurudhë dhe Portin e Selanikut.

Në këtë kuadër, ministri grek i Energjisë, Panajotis Lafazanis dhe zëdhënësi i Syrizas nisën të hënën një vizitë dyditore në Moskë.

Sipas “Spiegel”, përfaqësuesit e qeverisë greke pritet t’i kërkojnë Rusisë ta ulë çmimin e gazit për ekonominë greke. Gjithashtu pritet që Greqia të kërkojë të përjashtohet nga embargoja ruse ndaj BE për produkte si frutat e freskëta.

Top Channel