Në përfundim të takimit të 15 Marsit mes Edi Ramës dhe Ilir Metës në
selinë e Partisë Socialiste, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim
deklaroi se brenda 1 Prillit do të jenë gati emrat e 61 kandidatëve që
koalicioni qeverisës do të propozojë përpara elektoratit për zgjedhjet e
21 Qershorit.
1 Prilli është afër dhe për të përmbushur këtë zotim këtë të Hënë në Edi Rama zhvilloi një maratonë konsultimesh me deputetët e 12 qarqeve të vendit për kandidatët. Takimi me deputetët e Tiranës është lënë për në fund.
Raportohet se si kriter janë marrë jo vetëm propozimet e bazës socialiste, por edhe sondazhet e realizuar nga PS, sidomos sa i përket bashkive më të mëdha. Vëmendja më e madhe do të jetë për Tiranën. Më herë baza socialiste ka propozuar për këtë bashki Pandeli Majkon dhe Lindita Nikollën.
Por Ministrja e Arsimit dhe e Sportit njoftoi në studion e emisionit “Shqip” se nuk do të ishte ajo kandidate për bashkinë. Së fundmi gjithnjë e më shumë është hedhur në qarkullim emri i një tjetër ministri, Erion Veliaj. Kush do të jetë kandidati i së majtës për Tiranën? Sa mundësi ka Majko? Po Veliaj?
Këtyre dhe të tjera pyetjeve u dhanë përgjigje të ftuarit e takimit të kësaj të Hënë në emisionin “Shqip” me gazetaren Rudina Xhunga.
I pari që mori fjalën ishte gazetari Aristir Lumnezi.
“Janë bërë sondazhe dhe për Tiranën është përfolur shumë Erion Veliaj, Pandeli Majko dhe Albana Dhimitri. Por është folur gjithashtu edhe për një profil të lartë politik të kryetarit të bashkisë që duhet të jetë kandidati i Partisë Socialiste. Në bazë të kësaj gjasat janë që të jetë zoti Veliaj, sipas gjasave dhe frymës së diskutuar në mbledhjen e deputetëve”, tha ai.
Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela tha se para se të dalë tek emrat, Partia Socialiste duhet të flasë njëherë nëse e fiton Tiranën. Për të Veliaj nuk është kandidati i duhur.
“Majko është kandidati që ka më shumë pikë për Tiranën. Po duhet parë cili është më në zë nga këta? Veliaj nuk është i paaftë, por është pa autoritet. I mungon autoriteti dhe nuk e ka fituar atë. Po Majko a e ka autoritetin? Përvec kësaj edhe një element tjetër; nga kush do ketë frikë kryetari? Nga kush nga këta të dy do ketë më shumë frikë Kryetari? Po të ngremë Majkon, Majko mund të marrë partinë pastaj, kurse Erion Veliaj jo”, tha Ngjela.
Analisti Shpëtim Nazarko më shumë se rezultati më i mirë i këtyre zgjedhjeve është ndarja e re. Ai ngriti një shqetësim edhe sa i përket numërimit të votave.
“Ka një avantazh, shpëtojmë nga 400 bashkitë e famshme dhe i dhamë fund batakçinjëve që shkatërruan territorin e Shqipërisë. Do t’i kërkoja publikisht Ramës që t’i bëjë edhe një të mirë tjetër të madhe Shqipërisë, të zhdukë numërimin stalinist të votave, numërimin partiak. Të shporrë edhe numëratorët dhe të ikin partiakët të rrinë të gardhi!”, deklaroi ai.
Për analistin Henri Çili këto zgjedhje vendore janë më shumë një test i brendshëm për vetë partitë.
“Këto zgjedhje janë më shumë brenda partiake se sa ndërpartiake. Ka të bëjë me balancat e brendshme. Opozita pret mazhorancën për të parë profilin e kandidatëve, kurse Rama ka një axhendë tjetër. Nga njëra anë mundohet t’i japë një zgjatim modelit personal dhe do të ketë edhe një farë balance të brendshme. Me rëndësi është Tirana sepse pa Tiranën do të jetë e vështirë të mbajë në këmbë ngrehinën e shtetit që ka ngritur në zgjedhjet e 2017”, tha ai.
Edhe për kreun e Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo Erion Veliaj është kandidati potencial për Tiranën.
“Veliaj ka marrë përparësi deri më tani dhe Veliaj është një zgjatim i mënyrës së qeverisjes së zotit Rama dhe Rama do të kërkojë që kryeqytetin ta qeverisë një person që ka shumë gjëra të përbashkëta me të dhe është më i sigurtë për të qenë besnik kundrejt qeverisë qendrore dhe aq më tepër që përmes zotit Veliaj do të jetë Rama që do të aplikojë idetë, edhe ato që mund të ketë lënë përgjysmë kur qeveriste Tiranën. Ndërkohë mendoj që mundësitë e zotit Majko janë të pakta, jo se nuk do të ishte një qeveritar i mirë, por Majko nuk është në stilin e Ramës dhe për nga historia që ka brenda PS, Majko nuk mund të jetë i besuari i Ramës për kryeqytetin. Mes dy zgjedhjeve, Veliajt dhe Majkos, Rama do të zgjedhë Veliajn”, u shpreh ai.
Koalicionet
Mesditën e kësaj të Hëne Edi Rama dhe Shpëtim Idrizi zyrtarizuan atë që përflitej prej kohës; aleancën mes tyre. PDIU i shtohet koalicionit qeveritar në zgjedhjet e 21 Qershorit dhe pas këtyre zgjedhjeve kjo forcë politike do të përfaqësohet edhe në rang pushteti qendror.
Por jashtë koalicionit të mazhorancës kanë mbetur aleatët tradicionalë të së majtës. Demokracia Sociale e Paskal Milos dhe Socialdemokratët e Skënder Gjinushit. Është përfolur për një dalje me një koalicion më vete të këtyre partive, që synojnë tërheqjen e partive që do të ngelin jashtë dy koalicione të mëdha, majtas e djathtas.
Kreu i PDS-së, Paskal Milo paralajmëroi: “Nëse Rama nuk na fton në koalicion ne nuk do të rrimë duarkryq. Do të dalim në një koalicion të gjerë që mund të shkojë deri te qendra e djathtë”, tha ai.
Spartak Ngjela, tha se pavarësisht pakënaqësive dhe rezervave që ka ndaj qeverisë, do të jetë pjesë e koalicionit të mazhorancës në zgjedhjet e 21 Qershorit dhe se ka kontaktuar për këtë koalicion me deputetin socialist, Taulant Balla.
“Unë nuk jam larguar ndonjëherë nga koalicioni,- tha ai. Ky njeri i ka 84 mandate dhe akoma po kërkon? Për çfarë i duhen? Këtë gjejeni ju”, shtoi Ngjela.
Pjesa e tretë nisi me analizën e ndarjes së zonave mes PS dhe LSI-së. Spartak Ngjela tha se LSI do të humbasë thuajse në të gjitha zonat ku do të dalë me kandidatët e vet.
“LSI do të humbasë në 14 nga 15 njësitë që ka, do i marrë PD. Pse? Sepse votuesit e PS nuk votojnë për LSI-në dhe PD godet gjithmonë në qendër, e ka strategjinë e vet sepse nuk është e fortë. Do godasë te pika më e dobët”, tha Ngjela.
Top Channel