
Furnizimi me ujë të pijshëm me orare të kufizuara ka bërë që të lulëzojë biznesi autoboteve që shesin ujë të pijshëm në çdo lagje të kryeqytetit.
Altoparlantët e këtyre tregtarëve janë shndërruar në një farë zileje zgjimi për banorët, të cilët njoftohen për mbërritjen e ujit. Por prishja e qetësisë publike është më i pakti shqetësim që buron nga ky biznes informal.
Cilësia e ujit që mbajnë brenda këto cisterna është problemi më i madh, pasi ky biznes është tërësisht jashtë kontrollit edhe pse shumë njerëz i besojnë reklamës së tregtarit dhe nxitojnë të mbushin bidonët me ujë, që është më i mirë se i çezmës dhe më i lirë se uji i ambalazhuar në dyqane.
Megjithatë, shumë të tjerë kanë denoncuar edhe në portalin “Stop Korrupsioni.al” për të frenuar këtë biznes të paligjshëm që mund të sjellë rreziqe për shëndetin e qytetarëve.
Kreu i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor shpjegon se ka kërkuar zyrtarisht bashkëpunimin edhe të policisë për të ndaluar autoboteve që tregtojnë pa asnjë leje për ushtrimin e këtij aktiviteti, pasi inspektorati nuk ka kompetencë për ndalimin e tyre
“Ka pasur denoncime në portalin “Stopkorrupsioni”, por ka pasur edhe denoncime të drejtpërdrejta në zyrat tona. Kushtet kur Inspektorati nuk mund të ndërhyrje në ndalimin e këtyre autoboteve kemi kërkuar ndihmën e drejtorisë së policisë, e cila në bashkëpunim me ne të bëjmë ndalimin e tregtimit të këtyre autoboteve”, tha Eltar Deda, Kryeinspektorati Sanitar Shëndetësor.
Gjatë javës së kaluar organet tatimore kanë bllokuar 4 autobote, të cilët nuk paguanin detyrimet tatimore, pasi nuk kishin licencë për të ushtruara këtë aktivitet. Por ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të denoncojnë me foto në webin e Top -channel.tv, ti raporton se si autobotet vijojnë punën
Kreu i Inspektoratit Shëndetësor zoti Deda u bën thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes dhe të mos konsumojnë ujin e autoboteve.
“Për ta bërë punën më të lehtë u kërkojmë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm në përdorimin e këtij uji në shtëpitë e tyre”, shtoi Deda.
Ky fenomen është denoncuar edhe në emisionin investigativ “Fiks Fare” në Top Channel , ka rezultuar se autobotet mbushin ujë nga burimet, duke ua tregtuar konsumatorëve pa i bërë asnjë analizë.
Përballë kësaj situate pritet ndërhyrja e policisë për t’i dhënë fund këtij biznesi ilegal që rrezikon shëndetin e konsumatorëve.
Top Channel