Sinjalistikë e posaçme për të verbrit, instalohet fillimisht në institucionin e A. Popullit

29/03/2015 00:00

Institucioni i Avokatit të Popullit është i pari, i cili ka ndërtuar infrastrukturë të pajisur me sinjalistikën e posaçme për personat që nuk shikojnë, në mënyrë që ata të kenë akses në mënyrë të pavarur pranë avokatit të popullit.

Duke nisur që nga porta hyrëse deri brenda zyrave është vendosur kjo sinjalistikë, duke respektuar kështu të drejtat themelore të personave që nuk shikojnë.

Në vendin tonë personat e verbër janë të detyruar të lëvizin të shoqëruar për shkak të sinjalistikës së munguar nëpër rrugë, ashtu dhe nëpër institucione publike, duke e ndjerë veten të përjashtuar.

Kreu i Shoqatës së të verbërve, Sinan Tafaj u bën thirrje kandidatëve që do të jenë pjesë e garës elektorale të 21 qershorit të kenë parasysh këtë kërkesë të tyre në çdo bashki dhe komunë.

“Dua që t’i bëj thirrje të gjithë kandidatëve për krybashkiak dhe të këshillave të bashkive të mbajnë në konsideratë faktin se është një detyrim i tyre, jo vetëm moral, por edhe ligjor, përshtatja e ambienteve publike edhe për ne. Të mos na detyrojnë të mbetemi brenda mureve, por të na inkurajojnë me këtë përshtatshmëri që të dalim nga muret dhe të bëhemi pjesë integrale e kësaj shoqërie”, tha Sinan Tafaj.

Sipas Avokatit të Popullit, kjo mundësi për personat që nuk shikojnë kërkon vetëm vullnet.

“Nevojitet shumë pak për të bërë këtë që kemi bërë, si nga pikëpamja financiare, por jo vetëm. Mjafton që një gjë e vogël në punën e përditshme, çdo institucion, çdo individ ta vendosi veten në lëkurën e tjetri”, tha Avokati i Popullit.

Prej vitesh është kërkuar që të paktën rrugët ë kryeqytetit dhe institucionet publike të mund të krijojnë infrastrukturën e duhur për të lëvizur personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë dhe të verbër.

Top Channel