Forumi për lirinë ekonomike, Veliaj: Skema e re rrit pensionet

28/03/2015 00:00

Ekonomistët vitet e fundit kanë theksuar se është e domosdoshme që të ndërhyhet në rregullimin e tregut me instrumenta ekonomikë.

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, gjatë forumit për lirinë ekonomike, tha se skema e re e pensioneve i ofron çdo qytetari që paguan më shumë një pension më të lartë, ndryshe nga skema e vjetër, ku nëse deklaroje pagën 35 mijë lekë ti arrije të merrje pension maksimal.

“Çdo gjë mbi 350 mijë lekë, njerëzit mendonin se ua vidhte shteti. Pra njerëzit bënin një llogari sipas të cilës zbatimi i ligjit me korrektesë nuk kishte perfitime personale për ta. Heqja e tavaneve për pensionet shpërblen njerëzit me pensione duke nisur nga ky vit , sipas një parimi që ai që paguan me shumë do të marrë më shumë, ai që paguan me pak do të marrë më pak. Në të gjitha rastet secili do të marrë hakun e vet. Ky sens drejtësie besoj që ishte një nga arsyet kryesore që patëm një rritje të bazës të njerëzve të siguruar në sigurimet shoqërore, me rreth 17 përqind të totalit vetëm brenda një viti”, tha Veliaj.  

Edhe pse Banka Botërore ka kërkuar daljen në pension në moshën 67 vjeç, u negociua që rritja e moshës të vijë gradualisht.

“Në Shqipëri çdo vit dalin në pension rreth 30 mijë vetë, kjo do të thotë që çdo vit hapen 30 mijë vende pune për një brez të ri. Në momentin që ne do të rrisnim moshën e pensioneve menjëherë me 3 ose 4 vite siç u kërkua, ajo që do të ndodhte është që për katër vite e ardhshme, 120 mijë vende pune, nëse do të kishim këtë tampon të pensioneve, 120 mijë të rinj nuk do të kishin akses në këto vende pune që hapen për ta”, shtoi Veliaj.
 
Një tjetër masë e ndërmarrë nga ministria është pagesa e agjenteve të sigurimeve shoqërore në bazë të performancës së tyre. Nëse një punonjës nuk performon, çka do të thotë që ai nuk arrin të lidhë asnjë kontratë rrezikon vendin e punës.

Top Channel