Shkollat profesionale, praktikat edhe pranë strukturave ushtarake

27/03/2015 00:00

Të rinjtë e shkollave të mesme profesionale do të kenë mundësi të kryejnë praktikën e tyre mësimore pranë strukturave ushtarake në vend.

Pas marrëveshjes që ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ka nënshkruar me ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nxënësit e shkollës së mesme profesionale në Tiranë, “Gjergji Canko”, e degës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Elektronikës dhe Elektroteknikës,  mund  ta kryejnë praktikën e tyre mësimore pranë strukturave ushtarake.

“Është rritur me 40% regjistrimi për herë të parë në kurset profesionale. Kjo do të thotë që mesazhi i qeverisë sonë, që fokusi duhet të jetë te zanatet, ka zënë vend”, theksoi Veliaj.

Nga ana e saj, ministrja Kodheli u shpreh: “Keni shansin të njiheni me një strukturë që është jashtë aspiratave tuaja, të hyni në një ambient që nuk keni hyrë kurrë”.

Përveç kryerjes së praktikës mësimore në institucionet ushtarake, nxënësve të këtyre degëve mund t’u krijohet mundësia që edhe të punësohen si personel me statusin e ushtarakut pranë strukturave ushtarake, për të ushtruar profesionin e tyre në drejtime të ndryshme.

Top Channel