Mustafa në interpelancë për Gjykatën Speciale, përplaset me Vetëvendosje

27/03/2015 00:00

Gjykata Speciale qe pritet të formohet së shpejti ka përplasur sërish këtë të premte deputetët e opozitës me përfaqësuesit e koalicionit qeveritar në Kuvendin e Kosovës.

Në interpelancën me kryeministrin Isa Mustafa, të thirrur nga lëvizja Vetëvendosje, është kërkuar që presidentja Atifete Jahjaga dhe qeveria t’i ndërpresin të gjitha angazhimet për formimin e kësaj gjykate.

Vetëvendosje, si nismëtare e interpelancës, ka rekomanduar që Kosova të krijojë mekanizmat e  vetë gjyqësorë për të gjykuar pretendimet për krime lufte, mirëpo rekomandimet e saj nuk morën votat e deputetëve të koalicionit qeveritar.

Shefi i grupit parlamentar të VV, Glauk Konjufca ka bërë përgjegjës kryeministrin dhe partitë kosovare që kanë udhëhequr vendin që nga paslufta për krijimin e një gjendjeje të tillë, që ndërkombëtarët të imponojnë krijimin e Gjykatës Speciale.

“Unë e di që kryeministri ynë, zoti Mustafa, personalisht nuk ka pasur ndonjë simpati për UÇK-në. Këtë e dimë të gjithë. Mirëpo kryeministri nuk duhet të jetë kryeministër i ndjenjave të veta subjektive, por kryeministër i interesave objektive të kombit shqiptar”, deklaroi Konjufca.

“Gjatë gjithë kohës u mundova të mbaj relacionin e anës ligjore dhe kushtetuese të këtij problemi dhe nuk është mirë që të bëhen përlyerje të ndryshme e të jepen vlerësime si ato që dëgjova këtu, sepse ato nuk e ndihmojnë këtë proces, janë të pavërteta dhe sepse nuk duhet të kemi këtë komunikim mes nesh. Nëse ju keni argumente për problemin që keni ngritur, atëherë fitojeni mocionin me argumente”, ka replikuar kryeministri Mustafa.

Mustafa i ka sqaruar deputetët se nuk është qeveria e tij që po e formon gjykatën, por ajo, sipas tij, po krijohet me vendim të Kuvendit të Kosovës. Pro formimit të Gjykatës Speciale në interpelancë ishte edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.

“Sado e padrejtë të duket, sado e dhimbshme për ta pranuar të duket, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se për shumë arsye, por mbi të gjitha të së ardhmes, në mënyrë të bashkuar duhet të punojmë për themelimin e kësaj gjykate, e cila do të trajtojë pretendimet e raportit të Dick Marty, të miratuara nga Këshilli i Evropës dhe akuzat eventuale që mund të ngrihen nga task forca e EULEX-it”, ka thënë Thaçi.

Përveç lëvizjes Vetëvendosje edhe partit të tjera opozitare janë shprehur kundër krijimit të gjykatës. Madje, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se ideja fillestare për krijimin e një gjykate të tillë ka qenë krejt ndryshe nga ajo që tani synohet të formohet.

Aktualisht Kuvendi i Kosovës është në pritje të Gjykatës Kushtetuese, e cila po shqyrton projekt/amendamentet kushtetuese që do t’i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA