Ndotja e Tetovës në “Portokalli”, akuza në Parlamentin e Maqedonisë

26/03/2015 00:00

Partia Demokratike Shqiptare në opozitë ka kërkuar edhe njëherë dorëheqjen e ministrit të Ekologjisë në Maqedoni, Nurhan Izeari. Deputeti i kësaj partie, Bekim Fazliu, nga foltorja e Kuvendit tha se vargjet, që aktorët e “Portokallisë” i kushtuan ndotjes së ajrit në Tetovë, shprehin më së miri shqetësimin që ndiejnë të gjithë shqiptarët për helmimin e qytetarëve të Tetovës.

“Emisioni ‘Portokalli’ është një emision humoristik, që bën të qeshë një ‘shqiptari’ të tërë. Nurhan, ‘Portokallia’ nuk qeshte me Jugohromin, ata vajtonin dhe mallkonin të gjithë, një për një, me fjalët më të rënda që mund të ekzistojnë. Kur do të japësh dorëheqjen, sepse shohin se nuk të llogarit askush për asgjë”, tha Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi nuk ishte prezent në sallën e Kuvendit, për t’iu përgjigjur këtyre akuzave. Ndërkohë, deputeti opozitar tha se shqiptarët e Maqedonisë po helmohen çdo ditë, jo vetëm nga ajri i ndotur, por edhe nga projektet e tjera të dëmshme, që miratohen edhe me pëlqimin e ministrave shqiptarë të BDI-së, në kabinetin e Gruevskit.

“Helmim kemi kudo, në ajrin që thithim, në tekstet shkollore me të cilat mësojnë nxënësit tanë, me helmimin që na bën Akademia e Shkencave përmes të ashtuquajturës Enciklopedi, ‘Shkupi 2014’. Fajtorët për këtë situatë janë VMRO-DPMNE-ja, me armën e saj të quajtur BDI”, tha Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Tetova llogaritet ndër qytetet më të ndotura në Evropë. Ndotja  e lartë e ajrit, sipas qytetarëve dhe sektorit civil, shkaktohet nga fabrika e Jugohromit, që nuk plotëson standardet ekologjike. Edhe përkundër apeleve të shumta për mbylljen e këtij ndotësi, qeveria e Shkupit ia ka rinovuar për dy vite lejen e punës kësaj fabrike, që ndodhet në afërsi të Tetovës.

Top Channel