Në lidhje me polemikat që po zhvillohen mbi procedurat dhe ligjshmërinë e ndalimit të dy deputetëve, në studion e edicionit qendror të lajmeve ka qenë i ftuar juristi dhe penalisti i njohur Bashkim Sulstarova.
Ilir Paço: Pyetja që shtrohet në një rast të tillë është, si mund t’i konsideroni procedurat e ndjekura nga Prokuroria? A është i ligjshëm ndalimi i dy deputetëve, apo duhej pritur vajtja në gjykatë për masën e arrestit?
Bashkim Sulstarova: Sa i përket kësaj çështje mund të them se duhet të arrestohen të dy deputetët. Por, në bazë të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, deputeti nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme, apo t’i ushtrohet kontroll personal dhe ndaj banesës së tij, pa autorizim të Kuvendit të Shqipërisë. Siç jemi në dijeni të gjithë, sot Kuvendi i Shqipërisë pranoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe lëshoi autorizimin për arrestimin e dy deputetëve, i cili u dërgua në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo e fundit, pas marrjes së autorizimit nga Kuvendi urdhëroi Policinë e Shtetit për arrestimin e dy deputetëve. Tashmë, brenda 48 orëve, Prokuroria e Përgjithshme është e detyruar të dërgojë kërkesë në Gjykatën e Lartë, e cila në bazë të nenit 75b, pika 2, do të gjykojë kërkesën e Prokurorisë me një trupë gjykuese prej 5 gjyqtarësh të caktuar me short dhe, në bazë të provave që Prokuroria e Përgjithshme paraqet në Gjykatën e Lartë, trupi gjykues do të vlerësojë nëse arrestimi është i ligjshëm apo jo. Nëse do të gjykojë se është i paligjshëm, do të urdhërojë lirimin e tyre menjëherë, në të kundërt, do të marrë masat e sigurimit personal për të dy deputetët.
Ilir Paço: Ndërkohë kemi edhe një pretendim nga avokatët e Frrokut, që ndalimi është antikushtetues. Por, a mund të pritej vendimi i gjykatës, pasi ka shumë hapësirë për intepretim në këtë rast?
Bashkim Sulstarova: Avokatët kanë të drejtë të bëjnë vlerësime dhe interpretime, si avokatë mbrojtës të nderuar që janë, por Prokuroria si organ akuze, kështu e ka gjykuar dhe vlerësuar këtë lloj procedure. Tashmë është Gjykata e Lartë që do të bëjë vlerësimin e këtij ndalimi.
Top Channel