Greqi, ish-ministri i Financave shpallet fajtor

25/03/2015 00:00

Ish-ministri grek i Financave, Jorgos Papakonstantinοu është shpallur
fajtor nga një gjykatë në Athinë, me akuzën se ka hequr qëllimisht nga
një listë e llogarive bankare të evazorëve fiskalë emrat e tre të
afërmve të tij.

Bëhet fjalë për listën që ish-ministrja franceze e Financave, Kristine Lagarde, tashmë kreu i FMN-së, i kishte dërguar Athinës zyrtare në vitin 2010, me emrat 2062 qytetarëve grekë, midis tyre shumë persona të klasës politike, mediatike dhe grupeve të biznesit në vend, të cilët kanë transferuar paratë e tyre në bankën zviceriane ‘HSBC’, duke kryer në këtë mënyrë evazion fiskal.

Papakonstandinou është dënuar me një vit burg, dënim që nuk do ta kryejë nëse në tre vitet e ardhshme nuk kryen asnjë vepër penale. Ai ka deklaruar se ka i fshirë emrat e tre afërmve jo për arsye përfitimi, por për të ruajtur imazhin e tij politik.

“Gjykata konfirmoi plotësisht se, z. Papakonstantinou nuk ka vepruar as në interes të tij dhe as në interes të të tjerëve. Dhe veçanërisht, Gjykata vendosi unanimisht se z. Papakonstantinu nuk ka bërë përpjekje për t’i shkaktuar dëme shtetit grek dhe sigurisht që ai kurrë nuk shkaktoi dëme”, tha Vasilis Dimakopoulos, avokat mbrojtës i Papakonstantinou.
 
Sipas vendimit gjyqësor, nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të provuar se veprimet e tij kanë shkaktuar dëme mbi 150000 euro ndaj shtetit grek, ndaj është shpallur i pafajshëm për akuzën e dytë, atë të shkeljes së besimit, ndërsa drejtonte ministrinë e Financave, në qeverinë e Jorgos Papandreut, në vitet 2009-2011.
 
Papakonstantinu është një nga figurat më të larta të qarqeve politike që gjykohet në vend, qëkur Greqia është zhytur në krizën e thellë të borxhit.

Ekzistenca e të ashtuquajturës “lista Lagarde” dhe informacionet për qindra grekë të tjerë të pasur me depozita jashteështetit, që përpiqen të shmangin taksat, kanë shkaktuar zemërim në opinionin publik të vendit, që sheh se të gjithë qeveritë e viteve të fundit kaneë dështuar të hetojnë evazorët. Edhe vendimi i gjyqit për ish-ministrin Papakonstandinou, sipas qytetarëve, ishte tepër i lehtë dhe nuk është pritur mirë.

Qeveria e re e Kryeministrit Tsipras e konsideron si sfidë dhe prioritet luftën ndaj evazionit fiskal, që është një prej shkaqeve të dobësimit të financave greke, pasi vlerësohet se arrin në 42,2 miliardë euro ose në 24,4% të PBB-së.

 

Top Channel