Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily ka zgjedhur një mënyrë jo të zakonshme për të shprehur vlerësimin e tij për sistemin e drejtësisë në Maqedoni.

Ai ka shpërthyer në të qeshura kur gazetarët në Shkup i kanë kërkuar një vlerësim për gjyqësorin. “Hahaha! Pra, po më pyesni të komentoj sistemin gjyqësor”, iu përgjigj Baily reporterëve.

Megjithatë, diplomati amerikan e vuri theksin tek mungesa e besimit të qytetarëve tek institucionet gjyqësore. Ai u zotua se SHBA-të do të ndihmojnë në rritjen e këtij besimi dhe porositi se sfidat aktuale me të cilat përballet vendi kërkojnë një gjyqësor të pavarur dhe transparent.

“Çështja e besimit të qytetarëve tek sistemi gjyqësor është diçka për të cilën duhet të vendosin vetë qytetarët e Maqedonisë. Ne jemi këtu për të ndihmuar në rritjen e besimit. Unë nuk dua të gjykoj nëse sistemi është i aftë të përballet me rastet e fundit, por sfidat me të cilat përballet Maqedonia kërkojnë një gjyqësor transparent dhe të pavarur. Këtë e dëshirojnë edhe qytetarët”, deklaroi Baily.

Ndërkohë, një ditë më parë partia opozitare maqedonase, LSDM prezantoi disa audio-materiale të përgjuara, për të cilat tha se dëshmojnë se në Maqedoni sistemi gjyqësor kontrollohet tërësisht nga kryeministrit Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt.

Top Channel