Greqi, lirohet lideri i Agimit të Artë; pritet si hero nga mbështetësit

20/03/2015 00:00

Duke e duartrokitur dhe duke e thirrur “heroi ynë” e kanë pritur disa prej mbështetësve të Agimit të Artë liderin e kësaj partie Nikos Mihaloliakos, që është liruar nga burgu pasditen e së premtes, pasi ka përfunduar afati i paraburgimit prej 18 muajsh nga dita që u arrestua.

Bashkë me të u lirua për të njëjtën arsye edhe një prej deputetëve të tjerë të kësaj force politike që ndodhej në burg, Janis Lagos. Mihaloliakos, që derisa të dalë para gjyqit më 20 prill do të qëndrojë në arrest shtëpie, i është ndaluar të udhëtojë jashtë shtetit, por mund të ushtrojë detyrën e tij si deputet.

“Do të fillojmë në 20 prill betejën tonë për një drejtësi të plotë. Populli e ka përligjur zotin Mihaloliakos katër herë dhe besojmë se edhe drejtësia do të bëjë të njëjtën gjë”, ka deklaruar Takis Mihalolias, avokati i Nikos Mihaloliakos.

Lideri i AA, disa prej deputetëve të kësaj partie dhe përkrahës të tyre u arrestuan në vitin 2013 nën akuzën e krijimit dhe pjesëmarrjes në një grup kriminal pas vrasjes së një muzikanti antifashist nga një neonazist.

Vrasja ndezi protesta mbarëkombëtare dhe i dha një goditje të fortë kësaj force politike, që bazë në programin e saj ka politikat kundër emigrantëve të huaj e që hyri për herë të parë në Parlamentin grek në vitin 2012, duke përfituar edhe nga zemërimi i grekëve ndaj partive të mëdha në kohën kur kriza ekonomike gjunjëzoi vendin.

16 anëtarë të Agimit të Artë dhe lideri i saj janë mes 70 personave që do të dalin para gjyqit që do të zhvillohet në dhjetëditëshin e tretë të prillit dhe mund të përballen edhe me 20 vjet burg nëse vërtetohen akuzat ndaj tyre.

Por me gjithë akuzat dhe arrestimin e tyre, 13 anëtare dhe lideri Mihaloliakos, që deklarojnë se janë viktima politike të një gjuetie shtrigash, janë rizgjedhur në Parlament pas zgjedhjeve të 25 janarit, bashkë me katër deputetë të rinj, duke e bërë AA  forcën e tretë më të madhe në vend.

Më 29 mars mbaron afati i paraburgimit edhe për numrin dy të kësaj partie, Christos Papas, që do të lirohet edhe gjithashtu sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, për të pritur nga shtëpia ditën e gjyqit kur do të ndodhet në bankën e të akuzuarve.

Top Channel