Dhuna seksuale gjatë luftës, Jahjaga: Riintegruam viktimat

20/03/2015 00:00

Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë janë rehabilituar dhe integruar në jetën e përditshme në vend, përmes programeve dhe mekanizmave të ndryshëm që prej themelimit të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Luftës.

Këtë e thotë vetë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një takim me anëtarët e këtij këshilli.

“Që prej vitit të kaluar mund të them me bindjen më të plotë se së bashku kemi arritur të hapim një kapitull të ri, i cili ka vetëm një drejtim, atë të garantimit dhe ofrimit të të drejtave për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, si viktima civile të luftës. Së bashku kemi arritur ta kthejmë çështjen e rehabilitimit, të riintegrimit dhe risocializimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në një temë që zë gjithmonë e më shumë vend në politikat qendrore dhe ato lokale, në një temë për të cilën tashmë ne si shoqëri kemi filluar të flasim më hapur”, deklaroi Jahjaga.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani bëri të ditur se kjo ministri ka marrë vendimin që në kuadër të ligjit për sigurime shëndetësore, viktimat e dhunës seksuale të lirohen nga të gjitha pagesat shëndetësore, për çka u tha se duhet të nxirret një akt nënligjor.

Ministri i Punës dhe Mirëqënies Sociale, Arban Abrashi ka thënë se këto viktima të prekura nuk duhet të trajtohen si raste në të cilat bëhet bamirësi, por ato meritojnë korrektësi dhe drejtësi sociale.

“Duhet bërë përpjekje e vazhdueshme që viktimat e dhunës seksuale të mund të kenë trajtimin e duhur nga institucionet dhe kjo duhet bërë gjithmonë duke respektuar të drejtat, dinjitetin dhe integritetin e tyre. Edhe pse kemi të bëjmë me një kategori të prekur dhe të ndjeshme, ato në fakt përfaqësojnë guximin dhe meritojnë përkrahje ligjore dhe institucionale. Pra, në këtë temë nuk bëhet fjalë për bamirësi, por për korrektësi dhe drejtësi sociale”, tha Abrashi.

“Zonja presidente e përshkroi dhunën seksuale në konflikt si një nga krimet më makabre të luftës dhe objektivi i vërtetë i qeverisë sime në angazhimin e saj në ketë çështje është që të provojë dhe ta nxjerrë këtë makabritet nga hija. Të mos harrojmë se që në fillim të legjislaturës së kaluar në Kosovë, ideja e njohjes së grave të dhunuara si viktima të luftës ishte kundërshtuar kategorikisht dhe sot është puna e presidentes dhe disa ministrave që ka bërë dallimin në këtë çështje”, tha nga ana tjetër ambasadori britanik, Ian Cliff.

Ndonëse nuk ka të dhëna të plota për numrin e viktimave të dhunës seksuale, sipas disa statistikave Kosova numëron rreth 20 mijë viktima të këtij krimi gjatë luftës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA