Arsimimi i fëmijëve me sindromën Down

20/03/2015 00:00

Arsimimi në Shqipëri për një fëmijë me sindromën Down nuk është aspak i lehtë. Vetë prindërit dhe mësuesit që i kanë në klasat e tyre, tregojnë një varg vështirësish që hasin në përditshmërinë e tyre, teksa përpiqen që fëmijët me sindromën Down të kenë një jetë si gjithë të tjerët.

Njihuni me Emiliano Mulkurtin, një 9-vjeçar jo si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë… Ai është me sindromën Down, por kjo nuk e ka penguar aspak të jetojë normalisht. Është në klasën e dytë në shkollën “100 Vjetori” në Kamëz. Dosja me detyrat e tij ka vetëm vlerësime pozitive, por për mësuesen Mimoza Shira, një nxënës si Emiliano përpos kënaqësisë, sjell edhe një sërë vështirësish, kjo pasi shkolla shqiptare ende nuk i përkrah fëmijët me nevoja specifike.
“Fillimisht e kam pasur shumë të vështirë pasi nuk kam pasur një plan se çfarë duhet të mësojë apo të përvetësojë një nxënës si Emiliano. Më kanë ndihmuar shumë prindërit e tij që e njohin sindromën Down shumë më tepër se unë. Në këtë rrugë të vështirë të mësimdhënies, kam qenë e vetme, por më ka ndihmuar Emiliano që t’ia dalim bashkë”,- thotë Shira në një intervistë për “Wake Up” në “Top Channel”.

Një shqetësim të tillë e ngre edhe Emanuela Zaimi, prind i një fëmije me sindromën Down, njëherazi drejtuese fondacionit “Down Syndrome Albania”.
“Në klasat shqiptare mungojnë mësuesit ndihmës që do ta zgjidhnin këtë problematikë. Po kaq, fëmijët me sindromën Down nuk kanë materialet e tyre në klasat ku mësojnë. Ne kemi raste edhe të mospranimit të tyre në shkollat shqiptare, pasi mësues, prindër të tjerë e në jo pak raste edhe vetë drejtorët nuk i pranojnë këta fëmijë, duke bërë rezistencë”,- thotë Zaimi.  

Në strategjinë e arsimit 2015-2020, Ministria e Arsimit ka përfshirë edhe mësuesit ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta, të cilët pritet ta zgjidhin këtë shqetësim, jo aktual në shtetet e zhvilluara.

Nuk është e lehtë të rrisësh një fëmijë me sindromën Down, aq më tepër në Shqipëri. Feride Mulkurti, e ëma e Emilianos tregon për “Wake Up” se vështirësitë vetëm sa nisin me sistemin arsimor. “Kur jam me Emin, rrugëve apo në autobus, ndodh që njerëzit të kthejnë kokën e të thonë gjynah. Por kjo nuk na bën më përshtypje tani”,- tregon ajo.

Të dhënat tregojnë se 1 në 700 fëmijë lindin me këtë sindromë në mbarë botën. Kjo është arsyeja pse 21 Marsi njihet si Dita Botërore e Sindromës Down. Këtë vit, “Down Syndrome International” ka zgjedhur një mënyrë interesante për të ndërgjegjësuar opinionin përmes çorapeve shumëngjyrëshe. Edhe në Tiranë, pritet të ketë aktivitete. Një i tillë, nën moton: “Unë dhe ti, ne jemi njësoj” do të organizohet të shtunën e 21 Marsit tek Parku “Rinia”, në orën 11:00. Por vëmendja ndaj këtij komuniteti nuk mjafton vetëm në një ditë të vitit. Duhet ende shumë punë në një vend si Shqipëria, që fëmijë e të rinj si Emiliano Mulkurti, të ecin të vetëm në rrugët e vështira të jetës…

Top Channel