Alarmet false për bomba, a ka panik në kryeqytet?

20/03/2015 00:00

Ditët e fundit, veçanërisht në kryeqytet, ka pasur alarme të rreme për vendosjen e bombave apo të lëndëve eksplozive.

Për të folur në lidhje me këtë situatë të krijuar në Tiranë dhe hetimet e policisë ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” Ardi Veliu, nëndrejtori i Policisë së Tiranës.

Zoti Veli u shpreh se nuk ka vend për panik, pasi situata është tërësisht nën kontrollin e policisë pavarësisht ngjarjeve të fundit.

Pandi Gjata: Gjatë gjithë këtyre ditëve kemi pasur një sërë alarmesh për vendosje bombash. Nga hetimet që ju keni zhvilluar, këto alarme mund të konsiderohen si ‘lojëra’ apo kanë qenë të qëllimshme për të krijuar një situatë terrori në publik.

Ardi Veliu: Ashtu siç e thatë edhe ju, ditët e fundit në kryeqytet janë evidentuar 7 raste, ku në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës ose nga Shërbimet e Kontrollit të Territorit janë marrë informacione për pako të dyshimta, ku në disa raste ka pasur të ekspozuar fije teli, celularë ose natriban. Ne i kemi vlerësuar maksimalisht këto situata, por pas veprimeve të kryera është konstatuar se nuk ka pasur vendosje të lëndëve shpërthyese. Informacionet në vetvete kanë ngjallur panik. Ne jemi duke i hetuar të gjitha këto raste për të arritur në përfundimi, nëse kemi të bëjmë me raste që synojnë krijimin e panikut, apo me ‘lojëra’ të stisura nga persona të ndryshëm. Në 7 raste të evidentuara, në dy prej tyre ne kemi gjetur edhe autorët, të cilët janë proceduar penalisht. Ndërkohë që rastet e tjera jemi duke i studiuar me kujdes për të arritur në një konkluzion përfundimtar për arsyet.

Pandi Gjata: Nisur nga harta e këtyre ngjarjeve, a mendoni se janë zgjedhur qëllimisht për vendosjen e këtyre sendeve?

Ardi Veliu: Jemi duke kryer një studim të kujdesshëm për të arritur një përfundim të saktë.

Pandi Gjata: Këto ngjarje të ditëve të fundit duket sikur e ka bërë komunitetin edhe më bashkëpunues me policinë për denoncimin e rasteve…

Ardi Veliu: Bashkëpunimi me komunitetin ka qenë dhe ne kemi edhe disa strategji që kanë si synim të rrisin bashkëpunimin me komunitetin dhe të rikthejnë besimin. Çdo ditë ne marrin diku te 500 deri në 550 telefonata nga qytetarët, por jo të gjitha kanë të bëjnë me vepra penale.

Pandi Gjata: Duke iu referuar këtyre telefonatave, por edhe rasteve që ne kemi pasqyruar gjatë këtyre ditëve, ka një mbingarkesë për forcat e policisë së kryeqytetit, apo jo?

Ardi Veliu: Duket sikur ka një mbingarkesë, por kjo është puna e përditshme e policisë. Ne kemi patrullat e përgjithshme, Shërbimin e Kontrollit të Territorit, të cilat punojnë me 3 turne.

Pandi Gjata: Nëse kemi parasysh hartën e kryeqytetit, cilat zona mund të konsiderojmë si më problematiket?

Ardi Veliu: Në rast se i referohemi statistikave dhe treguesve në qytetin dhe qarkun Tiranës ka një rritje të zbulimit të veprave penale duke e krahasuar periudhën janar-shkurt 2013, 2014 me janar-shkurt 2015, kemi një rritje të konsiderueshme të fuqisë zbuluese. Veprimtaria e policisë në periferi, duke qënë se mungon ndriçimi dhe infrastruktura, mund të ketë problematik pak më të zgjeruar, por nuk do të thotë se situata nuk është nën kontroll.

Pandi Gjata: A ka një strategji për të ulur nivelin e krimit në kryeqytet?

Ardi Veliu: Mbi bazën e strategjisë vjetore të përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme  dhe Policia e Tiranës ka përgatitur strategjinë vjetore ku janë përcaktuar saktë indikatorët e matshëm në lidhje me punën që duhet të bëjë Drejtoria e Tiranës, në lidhje me uljen e nivelit të kriminalitetit, ashtu edhe në rritjen e nivelit të zbulimit.

Pandi Gjata: Ku përqendrohet ajo?

Ardi Veliu: Të gjithë indikatorët janë të përcaktuar në mënyrë të detajuar, si për uljen e kriminalitetit për krimet e rënda, për krimet kundër pasurisë, për krimet kundër jetës. Strategjia vjetore është boshti i punës së policisë së qarkut dhe i çdo drejtorie.

Pandi Gjata: A ka masa ekstra në lidhje me situatën e ditëve të fundit dhe a mund të themi se situata është nën kontroll pas këtyre ngjarjeve?

Ardi Veliu: Absolutisht, që situata në qytetin e Tiranës është tepër normale, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Pavarësisht se këto alarme false kanë krijuar një gjendje tensioni, ne si polici jemi të detyruar t’i krijojmë një vlerësim maksimal, sepse nuk dimë me çfarë përballemi.

Pandi Gjata: Po ju përsëris edhe një herë pyetjen që bërë pak më lartë. A ka masa shtesë në këtë situatë?

Ardi Veliu: Patjetër. Krahas veprimeve të përditshme ne përgatisim edhe planin e masave me objektiva të caktuara.

Top Channel