Presidenti i Tunizisë zotohet se do të luftojë terrorizmin

19/03/2015 00:00

Presidenti i Tunizisë është zotuar të luftojë terrorizmin ‘pa mëshirë’, pas sulmit me armë në  Muzeun Kombëtar pranë Parlamentit të Tunizisë, duke vrarë 21 persona.

Beji Caid Essebsi tha se vendi ishte “në luftë më terroristët”. “Këto minoritete monstruoze nuk na trembin. Ne do reagojmë ndaj tyre pa mëshirë. Demokracia do të fitojë dhe do të mbijetojë.

Ndërkohë, Kryeministri i Tunizisë, Habib Essid, e vlerësoi gjendjen aktuale të vendit si, “një moment kritik në histori dhe një moment përcaktues për të ardhmen”.   

Në momentin kur ndodhi sulmi deputetët ishin duke diskutuar në Parlament legjislacionin kundër terrorizmit. Parlamenti u evakuua, por u mblodh më vonë për një seancë të jashtëzakonshme në mbrëmje.

Shumë tunizianë dolën në rrugët e kryeqytetit Tuniz për të protestuar kundër sulmit. Udhëheqësit botëror dënuan ashpër sulmin dhe shprehën mbështetjen e tyre në përpjekjet e Tunizisë në luftën ndaj terrorizmit.

Zëdhënësi i Ban Ki-moon tha se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së “e dënon në mënyrën më të fuqishme sulmin e së mërkurës në Tunizi dhe shpreh keqardhjen për humbjen e jetëve”. Ndërkohë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë t’i qëndrojnë pranë partnerëve tunizianë në luftën ndaj terrorizmit”. Gjithashtu edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe tha se BE-ja do të mbështesë plotësisht Tunizinë në luftën ndaj terrorizmit.

Deri më sot, Tunizia kishte shmangur çdo lloj ngjarjeje të dhunshme të militantëve ekstremistë, që prej trazirave të vitit 2011 që rrëzuan autokratin Zine El-Abidine Ben Ali.

Top Channel