Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Ardian Çela, ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, ku foli kryesisht mbi aksionin e muajve të fundit të OSHEE.
Zoti Çela tha se, që prej fillimit të aksionit arritjet janë mbresëlënëse, si në prerjen e lidhjeve të paligjshme, ashtu edhe në arkëtime.
“Vetëm në 3 muajt dhjetor, janar dhe shkurt janë mbledhur rreth 200 milionë dollarë. Vlen të theksohet se të ardhurat e vitit 2014 ishin 490 milionë dollarë”, tha ai.
Administratori i OSHEE bëri të ditur edhe një herë se 31 marsi është afati i fundit i aplikimit të skemës lehtësuese.
“Në mënyrë të padiskutueshme u bëj të qartë qytetarëve se, 31 marsi është afati i fundit. Pas kësaj date askush nuk do të përfitojë nga skema lehtësuese”, tha zoti Çela.
***
Pandi Gjata: A kemi një bilanc të OSHEE, për shkëputjet e paligjshme të energjisë elektrike, të pagesës së faturave nga debitorët?
Adrian Çela: Prej më se 3 muajsh ne i kemi bërë publike arritjet dhe shifrat, që nga 28 tetori kur ka filluar aksioni, por edhe që prej datës 4 dhjetor, kur filloi të zbatohet skema lehtësuese. Arritjet janë më shumë se mbresëlënëse, si në prerjen e lidhjeve të paligjshme, si në arkëtime, si në numrin e akt-marrëveshjeve, por edhe një vazhdimësi e pagesave të faturave mujore. Vetëm në 3 muaj: dhjetor, janar dhe shkurt janë mbledhur rreth 200 milionë dollarë. Vlen të theksohet se vetëm të ardhurat e vitit 2014 ishin 490 milionë dollarë.
Pandi Gjata: Që prej nisjes së superaksionit, sa debitorë ka pasur në Shqipëri dhe sa ka aktualisht tani që ne flasim?
Adrian Çela: Kompania ka pothuajse 1.2 milionë abonentë, nga të cilët 400 mijë ishin abonentë të rregullt, ndërsa rreth 700 mijë ishin debitorë të të gjitha kategorive; familjarë, privatë, buxhetorë dhe jo-buxhetorë. Vetëm në 3 muaj e gjysmë që ka filluar aplikimi i skemës lehtësuese e kanë nënshkruar akt-marrëveshjen pothuajse 258 mijë abonentë. Ndërsa abonentë privatë, nga java e parë e marsit që ka filluar skema lehtësuese për biznesin, janë rreth 1200 abonentë. Aktualisht kemi ende debitorë, rreth 450 mijë fatura nga të gjitha kategoritë. Vetëm biznesi ka rreth 90 mijë debitorë që kapin një shifër rreth 14 miliardë lekësh.
Pandi Gjata: Sa familje në nevojë ka pasur në këtë periudhë që nuk kanë pasur mundësi për të paguar?
Adrian Çela: Për familjarët ka tre lloje pagesash. Skema që mund të përfitojnë 80% të kamatëvonesës dhe kjo shifër është mbi 60%, ndërsa në familjet në nevojë vetëm për muajin shkurt janë mbi 15 mijë familje në ndihmë ekonomike që kanë lidhur akt-marrëveshjen. Ata paguajnë vetëm 1 mijë lekë të reja, pjesa tjetër duhet të paguajnë 2500 lekë të reja, këstin e debisë, plus faturën korente. Dua të bëj të ditur që efekti i kësaj skeme është respektimi i datës nga debitorët, e cila i klasifikon këto familjarë në konsumatorë të ligjshëm të energjisë.
Pandi Gjata: Ka pasur radhë të gjatë pranë Zyrave të Klientit për të bërë pagesën. Cilat janë format e pagesave që mund të bëjnë qytetarët? Tashmë jemi dy javë nga skadimi i afatit…
Adrian Çela: Në radhë të parë duhet të bëj me dije që ky afat nuk do të shtyhet më pas datës 31 mars. Ne i bëmë një shtyrje prej 1 muaj afatit, pasi pamë radhë të gjata, sidomos javën e fundit. Unë besoj që sërish në dy javët e fundit të marsit do të ketë sërish rritje të fluksit. Në momentin që ka filluar të aplikohet skema ne shtuam rreth 50 pika në të gjithë vendin, duke punuar edhe me orare të zgjatuara, si edhe ditëve të shtuna e të diela. Një tjetër skemë lehtësuese për të bërë pagesat ishte edhe shtimi i disa sporteleve ‘alternative’, pranë pikave të transferimit të parave, nëpërmjet celularit. Gjithashtu kemi lidhur marrëveshje edhe me 3 banka. Të gjitha këto sportele janë me kosto zero për qytetarët. Komisionet rregullohen nëpërmjet marrëveshjeve. Që prej datës 12 shkurt kur kanë nisur të aplikohen këto sportele, ne kemi bërë 387 mije veprime, pagesa. Për të mos u përsëritur skemat e mëparshme, të gjitha këto veprime janë në sistem ‘online’.
Pandi Gjata: Pra, të gjitha këto alternativa bëjnë që të mos ketë një shtyrje sërish të afatit, apo jo?
Adrian Çela: Në mënyrë të padiskutueshme u bëj të qartë qytetarëve se 31 marsi është afati i fundit. Askush, pas kësaj date, nuk do të përfitojë nga skema lehtësuese.
Pandi Gjata: Në nisje të superaksionit u tha se grupi i parë do të jenë bizneset dhe aksioni u përqendrua këtu kryesisht. Por në bilancin që ne flasim sot, a ka më biznese të mëdha debitore ndaj OSHEE?
Adrian Çela: Padiskutim që ka biznese ende debitore. Problemi jo se u zhvendos nga biznesi te familjari, por debitori më i madh në vlerë absolute ndaj kompanisë është abonenti familjar. Në këtë periudhë ne e kemi intensifikuar akoma më shumë kontrollin ndaj biznesit dhe çdo ditë ka raportime. Me bindje mund të them se biznese të konsiderueshme që mund të kenë shifra të mëdha debie nuk ka më.
Pandi Gjata: Si është niveli i arkëtimeve dhe i humbjeve të OSHEE-së?
Adrian Çela: Niveli i humbjeve në janar ka qenë 36.7 %, ndërsa në shkurt 31.8 përqind, më pak se ne e kishim parashikuar. Ne kemi bërë një planifikim për të tërë 4-vjeçarin. Duke ndjekur këtë projeksion, në vitin 2018 kompania duhet të dalë nga gjendja e kolapsit ku ndodhet. Në vitin 2015 kemi planifikuar që mesatarja e humbjeve të jetë 32.8%.
Pandi Gjata: Në bazë të këtyre shifrave kur mund të dalë OSHEE nga kriza?
Adrian Çela: Kompania ka një borxh të trashëguar nga 2007-a deri sot në 1 miliard dollarë dhe të dalësh nga kriza për një vit është e pamundur. Ne kemi parashikuar që më 2015-ën do të ketë një rritje të lehtë të borxhit, për arsye se parashikojmë të bëjmë investime. Në vitin 2016 kemi planifikuar që të frenohet rritja e borxhit dhe në vitin 2017 e më pas kompania të fillojë të rikuperojë borxhin.
Pandi Gjata: Kur do të nisin të aplikohen matësat inteligjentë?
Adrian Çela: Ky është një projekt pilot që ne e kemi nisur me një kompani shumë prestigjioze. Dua të theksoj që ky është një projekt që e sjell koston zero për kompaninë. Tani jemi në fazën që kemi shkëmbyer të dhënat teknike. Si fillim do të aplikohet në 4 zona në Tiranë. Ne kemi dhënë miratimin për prodhimin e këtyre matësave.
Pandi Gjata: Me përafërsi kur e parashikoni?
Adrian Çela: Kemi thënë që brenda muajit prill do të fillojmë me implementimin e projektit, më pas shtrirja e projektit do të kapë një kohë 8-9 mujore.
Pandi Gjata: Edhe një pyetje të fundit. A do të mbahet kjo kulturë e vendosur me pak dhunë dhe me polici e ligje të ashpra për pagesën e energjisë elektrike?
Adrian Çela: Unë nuk do ta cilësoja dhunë. Grupet e OSHEE dhe të policisë ku kanë gjetur keqbërësin kanë vepruar. Gjatë muajit mars fillon edhe një fushat sensibilizuese derë më derë për të bindur qytetarët, se pagesat e tyre nuk janë vetëm për të shëndoshur kompaninë, por për të investuar për një shërbim më cilësor.
Top Channel