Dy fëmijë holandezë në duart e ISIS

17/03/2015 00:00

Një grua çeçene që jetonte në Holandë ka marrë dy fëmijët e saj dhe kundër vullnetit të babait të tyre i ka çuar ata në Siri për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.

Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet holandeze, sipas të cilave gruaja dhe dy fëmijët, 8 dhe 7 vjeç, besohet se kanë udhëtuar duke përdorur pasaporta të falsifikuara.

Babai i tyre, një shtetas holandez, i kishte paralajmëruar autoritetet për një arratisje të mundshme të bashkëshortes me të miturit. Nga ana e tyre, zyrtarët holandezë deklarojnë se ky është rasti i parë i këtij lloji.

Gruaja 32-vjeçare, e cila nuk është identifikuar për mediat, jetonte në qytetin jugor të Mastrihtit. Ajo dhe dy fëmijët e saj nuk janë parë më nga të afërmit që nga fundi i tetorit.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se ata kanë udhëtuar me avion nga Belgjika në Athinë dhe se në janar gruaja i ka telefonuar nënës së saj për ta njoftuar se ndodhej në Raka, bastioni i ISIS në veri të Sirisë.

Prokurorët po e trajtojnë rastin si një çështje pengmarrjeje dhe kanë lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për gruan. Por ata vënë në dukje se, nëse gruaja dhe fëmijët e saj kanë kaluar kufirin për në Siri, atëherë ka pak shanse që ata të kthehen në shtëpi.

Vlerësohet se rreth 200 shtetas holandezë, përfshirë këtu disa minorenë, i janë bashkuar Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

ISIS është bërë një nga grupet xhihadiste më të rrezikshme, që akuzohet për vrasje në masë dhe përndjekje të pakicave etnike e fetare në zonat e kontrolluara prej tij.

Top Channel