Tronditet Greqia, 20-vjeçari vetëvritet për shkak të “bulizmit”

16/03/2015 00:00

I gjithë opinioni publik në Greqi është tronditur pa masë nga përfundimi tragjik i historisë së një 20-vjeçari nga Kreta, që studionte në një shkollë profesionale në Janinë dhe që ishte zhdukur 39 ditë më parë.

Ai është gjetur i vdekur 800 metra larg nga shkolla e tij dhe, sipas të dhënave paraprake të raportit mjeko-ligjor, rezulton se i ka dhënë fund jetës duke prerë damarët e dorës së tij të djathtë, në 6 shkurt, ditën që ai ishte raportuar i zhdukur.

Ngjarja ka tronditur gjithë shoqërinë greke, pasi, sipas hetimeve që filluan prej ditëve të para, duket se ai është viktimë e ngacmimeve të kryera nga studentët dhe shokët e tjerë të klasës.

20-vjeçari, sipas dëshmive që ende nuk publikohen, por janë të regjistruara në dosjen hetimore, jetonte një ferr të përditshëm për shkak të poshtërimeve të shokëve të tij, shumica e tyre nga Kreta, si dhe të dhunës verbale e fizike ndaj tij.

Në shtypin grek qarkulluan disa prej torturave të shokëve të tij, të cilat thuhet se janë të regjistruara në dosjen hetimore të organeve greke, që po merren me këtë çështje dhe shokojnë këdo me brutalitetin e tyre. Madje, edhe pasi u gjet i vetëvrarë, në internet u publikuan disa postime me fyerje për viktimën.

Ministri i Arsimit ka deklaruar se studenti 20-vjeçar është viktima e parë e regjistruar e fenomenit të ngacmimit fizik e verbal në shkollat greke. Vetëm 10 ditë më parë, më 6 mars, me rastin e ditës ndërkombëtare kundër dhunës në shkollë, në mediat vendase është konstatuar se ky fenomen i ashtuquajtur “Bullying” ka marrë përmasa të mëdha në shkollat greke, ku shpeshherë viktima kanë qenë edhe nxënësit shqiptarë apo të huaj, për shkak të origjinës së tyre.

Sipas statistikave, Greqia është vendi i parë në Europë për numrin e këtyre rasteve, bashkë me Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë. Në Greqi vetëm 1 në 10 fëmijë, që bien viktima të këtyre fenomeneve të dhunshme, gjen mbështetje, pasi as mësuesit, as prindërit dhe as organizatat e veçanta nuk janë të përgatitura për përballimin e tyre dhe 42% e rasteve nuk deklarohen ose fshihen.

Edhe në Europë, 55% e fëmijëve që janë frikësuar nga dhuna e ushtruar mbi ta, vuajnë nga depresioni e dëshpërimi, ndërsa gati një e treta mendojnë të vetëvriten. Fatkeqësi sipas specialistëve është fakti, që 34% e të rriturve e konsiderojnë fenomenin e “bullying”-ut si një mënyrë normale të zhvillimit dhe rritjes së një fëmije.

Top Channel