Maqedoni, BDI kundërshton dy ligje të qeverisë

16/03/2015 00:00

Deputetët e partisë shqiptare në pushtet, BDI janë shprehur kundër dy projektligjeve të propozuara nga qeveria, që kanë të bëjnë me pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime dhe me paraqitjen e vendbanimit.

Kjo parti vlerësoi se këto pr/ligje mund të krijojnë bazë për diskriminimin e emigrantëve shqiptarë. Shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi tha se ato janë antikushtetuese dhe kërkoi tërheqjen e tyre nga seanca plenare.

“Në emër të grupit parlamentar të BDI-së kërkoj që nga rendi i ditës të hiqen pikat 25 dhe 26, respektivisht pr/ligji për plotësim dhe ndryshim të ligjit për paraqitje të vendbanimit; dhe pika 26 e pr/ligjit për ndryshimin e ligjit për letërnjoftimet. Kjo, për faktin se nuk janë plotësuar kushtet e nenit 140 të rregullores”, deklaroi Xhaferi.

Por kjo kërkesë e BDI-së nuk u mbështet nga partneri maqedonas i koalicionit qeveritar. Deputetët e VMRO-DPMNE-së shpërfillën kërkesën e kolegëve shqiptarë dhe kjo ndikoi që fillimi i seancës të zvarritej për disa orë.

Me projektligjin për paraqitjen e vendbanimit, Ministria e Brendshme parashikon që automatikisht t’i shlyej adresat e banimit të gjithë shtetasve që qendrojnë më tepër se tre muaj jashtë vendit dhe rrjedhimisht atyre do t’u merret e drejta për t’u pajisur me letërnjoftime.

Po ashtu, me ndryshimin e ligjit për letërnjoftime qeveria propozon që qytetarët të mund të pajisen me këtë dokument edhe në qytetet e tjera dhe përveç qytetit ku banojnë.

Analistët shqiptarë thonë se këto ndryshime ligjore të propozuara nga qeveria Gruevski i hapin rrugë manipulimeve zgjedhore dhe pengojnë mërgimtarët shqiptarë të regjistrohen si banorë të Maqedonisë gjatë regjistrimit të popullsisë.

Top Channel