Jahjaga viziton Zvicrën, fton bizneset për investime në Kosovë

16/03/2015 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga u ndal për një vizitë zyrtare këtë të hënë në Zvicër.

Jahjaga u prit në Bernë nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Simonetta Sommaruga. Sipas një komunikate për media nga presidentja Jahjaga dhe homologja Sommaruga thuhet se ato biseduan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të posaçëm në shtimin e investimeve të sipërmarrësve nga Zvicra në Kosovë, që do të mundësojë edhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Ato biseduan edhe për zhvillimet e tjera në Kosovë, migrimin ilegal dhe sundimin e ligjit, si dhe perspektivën integruese të vendit. Presidentja Jahjaga tha se Kosova po punon në krijimin e një klime të sigurt të biznesit dhe po bën përpjekje të vazhdueshme për të vendosur sundimin e ligjit dhe një shtet të së drejtës që mundëson edhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Presidentja Somaruga ndërkaq e vlerësoi të domosdoshme shkëmbimin e vizitave që shënon vazhdimësi të bashkëpunimit. Ajo vlerësoi se Kosova dhe Zvicra kanë një marrëdhënie shumë të mirë ndërmjet vete dhe këtë duhet shfrytëzuar për të ndihmuar edhe shtrirjen e bashkëpunimit në çdo fushë e në veçanti në fushën ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA