Ekzekutim për tradhëti ndaj Allahut. ISIS vret 9 persona të dyshuar spiunë

15/03/2015 00:00

“Jeni të dënuar me vdekje për tradhëti ndaj Allahut!”. Ky ka qenë preteksti, që detyroi xhihadistët e ISIS të ekzekutonin 9 persona dhe më pas të publikonin videon me skena të përgjakshme sërish në internet.

Para ekzekutimit, nën presionin e terroristëve, pengjet pohojnë para kamerës se janë spiunë dhe u japin të drejtë xhihadistëve për t’u marrë jetën. E prej aty, militantët pa hezitim tërheqin këmbëzën e armëve, duke i ekzekutuar 9 personat me një breshëri plumbash.

Në videon 7-minutëshe shfaqet edhe një komandant i maskuar i ISIS, i cili prej zyrës së tij jep mesazhin se xhihadi po kryen një punë të dyfishtë. Ai paralajmëron se ISIS nuk po lufton vetëm me kundërshtarët e deklaruar, por edhe me shumë spiunë që gjenden në terren. Por, sipas terroristit, Shteti Islamik pati sukses në arrestimin e kësaj “qelizë” me spiunë, të cilët ishin të ngarkuar me detyrën për të monitoruar lokacionet e xhihadistëve.

Vërtetësia e kësaj videoje mbetet e dyshimtë për ekspertët, ashtu sikurse edhe për videot e tjera që ISIS ka publikuar më herët. Por, sipas disa analistëve, deri tani nuk ka dalë në dritë asnjë provë, e cila hedh poshtë këto ekzekutime makabër, që terroristët u bëjnë pengjeve.

Ndërkaq, së bashku me publikimin e videove në rajonin e përgjakur, ka edhe pretendime se ISIS po përdor gazin klorin, si armë kimike kundër luftëtarëve, alarm ky që vjen edhe nga Këshilli i Sigurimit të Kurdistanit.

Top Channel