Ukraina, furnizime me armë edhe nga vendet e BE

14/03/2015 00:00

Qeveria ukrainase ka nënshkruar kontrata për importin e armëve, edhe atyre vdekjeprurëse, me 11 vende të BE-së.

Lajmin e ka bërë të ditur mbrëmjen e së premtes presidenti Petro Poroshenko, në një intervistë televizive.

Por Poroshenko nuk ka përmendur emrat e këtyre shteteve dhe as nuk ka saktësuar se me cilët prej tyre është rënë dakord për furnizim me armë vdekjeprurëse.

Deri tani, mundësitë për furnizimin me armatime për ushtrinë ukrainase kanë qenë nga Shtetet e Bashkuara, por ky plan ka hasur në ngërç për shkak të përplasjeve mes demokratëve dhe republikanëve.

Këta të fundit kërkojnë me ngulm që ndihmat ushtarake të dërgohen sa më parë, por nga të parët ka hezitim për shkak se këto ndihma mund të rëndojnë konfliktin ruso-ukrainas.

Në fund të muajit të kaluar, zyrtari më i lartë i zbulimit amerikan tha përpara Kongresit se furnizimi i Ukrainës me armë mund të provokojë Vladimir Putin, e për pasojë të sjellë një reagim akoma më të dhunshëm të presidentit rus.

“Një veprim i tillë me të gjitha gjasat do ta rrëzojë edhe atë gjethen e hollë që mbulon pozicionin e rusëve dhe pretendimet e tyre se nuk janë të përfshirë në krizën e Ukrainës. Rusia mund të përgjigjet duke dërguar armë të tjera më të sofistikuara në zonat që kontrollohen prej separatistëve”, tha James Clapper, drejtor i Zbulimit Kombëtar.

Clapper shtoi se, gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme për ngërçin ukrainas, e cila do të lejonte Kievin të integrohej me Perëndimin nuk ka për të qenë e lehtë.

Top Channel