Maqedoni, Jankullovska: Autorët e përgjimeve do të ndëshkohen

13/03/2015 00:00

Ministrja e Brendshme në Maqedoni, Gordana Jankullovska ka paralajmëruar autorët e përgjimeve se nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar.

Publikimin e materialeve komprometuese nga ana e liderit të opozitës, Zoran Zaev, ajo e ka quajtur akt të turpshëm dhe aspak patriotik. Jankullovska tha se Maqedonia, aktualisht po përballet me një situatë të ngjashme sikurse para 15 viteve, kur autori i aferës kaloi pa u ndëshkuar.

“Republika e Maqedonisë po ballafaqohet përsëri me tentativa për sulme ndaj institucioneve të saj, përsëri po ballafaqohemi me tentativa të tilla, që ardhmëria e vendit të mbetet peng i interesave politike. 15 vite më parë, afera përfundoi pa përgjegjësi penale, por tani Maqedonia është më e fuqishme dhe tregon se ka kapacitet. Tashmë pseudopatriotët janë zbuluar dhe po ndiqen penalisht, kurse njëri prej tyre tashmë është gjykuar”, tha Gordana Jankullovska, ministre e Punëve të Brendshme në Maqedoni.

Nga ana tjetër, mediat në Shkup shkruajnë se Jankullovska do të gjendet në listën e ministrave, që së shpejti priten të shkarkohen përmes formatimit të Qeverisë. E përditshmja në gjuhën maqedonase, “Slloboden Peçat” shkruan se kryeministri Nikolla Gruevski, përmes formatimit të Qeverisë po planifikon të gjejë zgjidhje për krizën politike në vend.

Ai pritet që të largojë nga kabineti i tij ministrat më të kompromentuar nga afera e përgjimeve, siç janë ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska, ministri i Transportit Mile Janakievski, si dhe ai i Financave Zoran Stavrevski.

Po ashtu, pritet të shkarkohet edhe shefi i kabinetit të Gruevskit, Martin Protugjer, dhe drejtori i Policisë sekrete, Sasho Mijallkov. Qeverinë e riformatuar, Gruevski do ta quajë “kalimtare” dhe do të tentojë t’i bindë ndërkombëtarët se me këtë janë plotësuar të gjitha kërkesat e opozitës.

Menjeherë pas formatimit të Qeverisë, pritet që Parlamenti të shpërndahet dhe të shpallen zgjedhje të parakohshme. Për planin e tij, kryeministri pret ndihmë nga partneri i koalicionit, Ali Ahmeti i BDI-së, si dhe nga faktori ndërkombëtar.

Top Channel