BE, kërkohet zgjidhje për situatën e klandestinëve

13/03/2015 00:00

Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian po përpiqen të gjejnë një zgjidhje të situatës së rënduar të klandestinëve, duke nisur që nga mundësia e krijimit të qendrave të pranimit në Libi, e duke përfunduar te shpëtimi në det të hapur.

Idea e një strehe për refugjatët në vendin e trazuar, që kërcënon të transferojë probleme në Itali, e prej andej në Europë, shihet me interes të veçantë, edhe pse ministrat ende nuk dinë me siguri sesi do të arrijë të funksionojë.

Nga përllogaritjet e bllokut, 600 mijë deri në 1 milion vetë presin në brigjet libiane çastin e duhur për të marrë rrugën drejt Italisë ose Maltës. Nëse të dhënat janë të sakta, atëherë kjo nënkupton se numri i klandestinëve është rritur disa herë më shumë, krahasuar me vitin që shkoi.

Komisioni Europian ka kohë deri në muajin maj për të paraqitur një strategji të qartë në ndihmë të zbutjes së dramës së këtyre njerëzve. Ministrat e BE-së po i mëshojnë idesë së një përmirësimi të bashkëpunimit me vendet e origjinës së emigrantëve të paligjshëm, shtimin e përpjekjeve në luftën kundër kontrabandistëve, njehsimin e sistemit të azilit në Europë, si dhe një shpërndarjeje më te drejtë të kontigjentit të refugjatëve ndërmjet vendeve anëtare.

Aktualisht, pjesa dërrmuese e atyre që marrin azil vijnë nga Siria. Me këmbëngulje në kërkesat për reagim të shpejtë të Bashkimit Europian ishte ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano. Italia është destinacioni fillestar i refugjatëve e pikërisht aty përplaset pothuajse e gjithë vala e të mbërriturve, çka e bën mjaft të ngutshme nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje të ngërçit për autoritetet italiane.

Top Channel