“Top Story”, çështja “Doshi” dhe protesta e opozitës

12/03/2015 00:00

Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda krerët më të lartë të shtetit janë vënë në radhë për të dëshmuar mbi akuzat e hedhura nga deputeti Tom Doshi ndaj kreut të Kuvendit Ilir Meta, ku pretendon se ky i fundit qendron pas një tentative për vrasjen e tij.

Opozita ka kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës dhe përforcimit të kësaj kërkese i shërbeu edhe protesta e kësaj të enjteje. Por kush po përfiton e kush po humb nga kjo situatë? Kush po e paguan këtë histori dhe jo thjeshtë në prokurori?

Këtyre dhe të tjera pyetje u dhanë përgjigje të ftuarit e takimit të përjavshëm të Top Story-t ku me gazetarin Sokol Balla ishin Grida Duma, Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Ylli Manjani, nënkryetar i LSI-së dhe analistët Skënder Minxhozi e Mustafa Nano.

E para që mori fjalën ishte Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma. Ajo tha se opozita ja arriti qëllimit me realizimin e një proteste paqësore.

“Shoqëria shqiptare tregoi qartazi, edhe pse u ngrit panik, se gjithçka kaloi në mënyrë qytetare dhe demokratike. Përgatitja e shtetit ishte sikur do të kishte një ngjarje aspak të pëlqyeshme. Rezultati varej nga fryma që do të përcillte opozita. Jemi në krizë politike, morale dhe sociale shqiptare, kur jemi në këtë moment, shoqëria solidarizohet me një si Tom Doshi. O ka sot kauzë për protestë, o nuk ka pasur kurrë!”, tha Duma.

Për analistin Mustafa Nano kauza kryesore e opozitës për të protestuar nuk qendron. Ai tha se forca e një partie nuk matet me numrin e njerëzve që dalin në shesh, por me numrin e ideve.

“Ishte një protestë e ngritur mbi asgjë. Ka ndodhur një ngjarje e rëndësishme, por që po hetohet. Çfarë kërkohet më tepër? Ta shpallim fajtor Metën vetëm sepse ka akuzuar Tom Doshi? Opozita ka dhjetëra arsye të tjera për protesta”, deklaroi Mustafa.

Edhe për Skënder Minxhozin kauza e zgjedhur nga opozita nuk ishte ajo e duhura.

“U krijua pritshmëria që do të ishte një ngjarje me përmasa të mëdha. Me atë që ne pamë sot, kam bindjen se opozita e zgjodhi keq kauzën. Nuk ka një përfundim të kësaj historie dy javë pas denoncimit publik. Nuk e dimë pse-në e madhe, nuk ka provë materiale që lidh akuzën e Doshit me personin e akuzuar, Metën. Të ndërtosh një kauzë politike mbi një akuzë të pavërtetuar është e vështirë të kalojë te publiku i gjerë”, tha ai.

Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani tha se e gjithë ngjarja është e stisur me synim që të sulmohet LSI-së si forcë politike, që sipas tij, sondazhet e nxjerrin në rritje.

“Protesta e opozitës është çështja e tyre. Nuk mund të jap mendim nëse pati apo jo sukses pasi nuk e di kush ishte qëllimi i saj. Partia Demokratike kërkon të godasë LSI-në dhe Ilir Metën. Publikut i intereson që Prokuroria të ngrejë një hetim dhe kjo gjë është bërë. Rritja elektorale e LSI-së është shqetësuese për PD-në dhe prandaj ka ardhur ky sulm politik dhe është stisur kjo ngjarje”, deklaroi Manjani.

Prokuroria ka nisur hetimet për këtë çështje, por a do të ndryshonin këto hetime nga dorëheqja e Metës?

“Që të ketë drejtësi dhe që të ketë moral politik, kryetari i Kuvendit duhet të japë dorëheqjen. Ja një shembull i thjeshtë; menjëherë pas deklaratës së Doshit, Rama thërriti Prokurorin e Përgjithshëm, Meta po ashtu. Nëse do ishte dhënë dorëheqja, do kishte ndodhur e kundërta. Rama e Meta do të thërriteshin nga Prokurori”, deklaroi Grida Duma.

Analisti Mustafa Nano kërkoi që Partia Demokratike të shkëputet nga e shkuara e saj. Të njëjtin qendrim ndau edhe nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani kur tha se PD, dy vjet pasi ikjes nga pushteti në të gjitha shfaqjet publike krahasimin e bën me veten kur ishte në pushtet.

“PD ka mbetur peng i së shkuarës dhe Berisha nuk frikëson asnjë tani, pasi e majta e bashkuar ka një elektorat të konsoliduar”, tha Manjani.

Pjesa e tretë nisi me Grida Dumën, e cila sulmoi LSI-në duke deklaruar se Partia Demokratike nuk mund të marrë leksione morali nga kjo forcë.

“LSI, një forcë politike sa një e pesta  e Partisë Demokratike dhe që ka përfituar nga Partia Demokratike na bën ne moral politik?! Në këtë kuptim ne nuk mund të marrim leksione nga kjo parti. Po të ecim me logjikën e situatës se si është morali dhe se si duhet të jetë, atëherë duhet të themi se cili është standardi? Ne ndaluam fort te çështja Doshi, unë do doja që të ndalohej fort tek arsyet e tjera të mëdha që u protestua”, tha ajo.

Nga gjithë kjo histori, sipas Minxhozit, Ilir Meta mund të pësojë një humbje të vogël politike.

“Në fund të kësaj historie, radikalizmi para fushatës elektorale besoj që do të afrojë më shumë dy partitë e mazhorancës që do të dalin më të forta në zgjedhje”, tha Minxhozi.

Në fund të seancës së shkurtër të ditës së enjte, Kryeministri Edi Rama deklaroi se toleranca e tepruar ndaj opozitës në Kuvend duhet të marrë fund, pasi sipas tij, opozita ka abuzuar me këtë tolerancë duke e shndërruar parlamentin në një vend për protesta. Mustafa Nano tha se ka patur një shkelje të rregullores për një hile politike të Metës i cili, sipas tij, i jepte fjalën pa fund Sali Berishës si një figurë e diskredituar në sytë e shumicës së shqiptarëve.

Ylli Manjani tha se e majta do të dalë në zgjedhje e bashkuar, ndërkohë që nuk ndau të njëjtin mendim për të djathtën.

Në fund, Grida Duma kërkoi që sipas saj, t’i jepet fund zërave që Basha ka probleme me lidershipin në PD. “Basha nuk ka probleme me lidershipin brenda PD-së. Ai është lideri!”, tha Duma.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA