SHBA, rrëzohet helikopteri ushtarak gjatë stërvitjes, 11 prezumohen të vdekur

11/03/2015 00:00

Shtatë marinarë dhe 4 anëtarë ekuipazhi të Forcave Ajrore amerikane janë prezumuar të vdekur gjatë së mërkurës, sipas një zyrtari amerikan të Mbrojtjes, pasi helikopteri i tyre “Black Hawk” u rrëzua në ujërat e zonës bregdetare të Panhandle, Florida, gjatë një misioni trajnues orëve të natës.

Vetëm në mesditë janë pikasur eshtra njerëzish në brigjet e zonës pranë bazës ajrore “Eglin”, siç njoftoi zëdhënësja e bazës, Jasmine Porterfield. Ajo nuk specifikoi se çfarë ishte gjetur, por theksoi vetëm se një mision kërkim-shpëtimi ishte duke u kryer përgjatë asaj kohe. E megjithatë, shumë pak shpresa ka për një mrekulli, pasi Gjeneral Martin Dempsey, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të SHBA-ve, shprehu ngushëllimet e tij “për humbjet e jetëve në atë helikopter”.

“Përplasja e sotme është një kujtesë ndaj nesh, se të gjithë ata që shërbejnë për mbrojtjen tonë e vendosin veten përballë rreziqeve të pashmangshme, qoftë në trajnim, ashtu edhe gjatë luftimeve”, tha Dempsey nga Uashingtoni. “Do të punojmë së bashku me shërbimet tona, për të siguruar se anëtarët e familjeve të tyre do të kenë të gjithë përkujdesjen e nevojshme”.

Helikopteri “skifteri i zi” u raportua fillimisht i humbur në kushtet atmosferike me një mjegull të dendur rreth orës 22:30 të së martës. Vetëm pak orë më pas, rreth 3 të mëngjesit të së mërkurës, ekipet e kërkimit gjetën eshtra përreth ishullit Okaloosa, pranë bazës “Eglin”, tha zëdhënësi i bazës, Andy Bourland. Eshtrat njerëzore notonin në të dyja anët e brigjeve të “Santa Rosa”, që lidhin tokën në veri të Floridës me ishullin.

Top Channel