Gjermani, shërbimi sekret ushtarak heton për islamikë të rekrutuar

11/03/2015 00:00

Shërbimi sekret ushtarak gjerman “MAD” ka ndërmend të hetojë, nëse për të hyrë në radhët e ushtrisë vendase, aplikojnë edhe islamikë.

Aktualisht, detyra e këtij shërbimi kufizohet te kontrolli i anëtarëve të Forcave të Armatosura dhe nuk shtrihet tek ata që aspirojnë të rekrutohen.

Por, duke qenë se në radhët e “Bundeswehr”-it ka si ushtarakë të punësuar me kontrata të pakufizuara, ashtu dhe të tjerë që punojnë për një periudhë të caktuar kohore, “MAD” nuk e përjashton mundësinë që islamikët të bëjnë kërkesë për t’u punësuar në Forcat e Armatosura, me synimin që pasi të shkollohen dhe të stërviten atje, të shkojnë në zonat e krizës.

Deri tani, sipas “Deutsche Welle”-s, nuk ka ushtarë aktivë, që të kenë shkuar në mënyrë të paligjshme në Irak apo Siri dhe, në rastin e tyre, kontrolli i sigurisë personale funksionon mjaft mirë. Por problemi është se kontrolli nga organet e kundërzbulimit zgjat disa muaj dhe, në këtë kohë, rekrutët e kanë kryer fazën përgatitore bazë.

Ashtu siç është rregull, që kontrolli të mos bëhet për çdo ushtar. Zakonisht të tilla verifikime realizohen paraprakisht, si në rastin e atyre që, pas fazës përgatitore bazë, kërkojnë të specializohen si snajperistë, xhenierë apo piroteknikë.

Ekspertët këmbëngulin megjithatë se edhe bazat e përgjithshme të njohurive ushtarake mund të jenë të mjaftueshme për të bërë karrierë në radhët e organizatave terroriste, si Shteti Islamik, me aftësi dhe njohuri që të tjerët nuk kanë.

Top Channel