BE, plan për t’iu kundërvënë “fushatës disinformuese” të Rusisë

11/03/2015 00:00

Udhëheqësit europianë do të kërkojnë një mbledhje me shefen e tyre për Politikën e Jashtme javën e ardhshme, për të hartuar një plan për t’iu kundërvënë “fushatës disinformuese” të Rusisë në lidhje me konfliktin në Ukrainë, siç bëhet e ditur në projektkonkluzionet e samitit të BE-së.

Liderët e BE-së, të cilët do të takohen së bashku më 19 dhe 20 mars, do t’i japin 3 muaj kohë Përfaqësueses së Lartë të Marrëdhënieve me Jashtë, Federica Mogherini, deri në samitin e ardhshëm të qershorit, për të punuar mbi mënyrën sesi të mbështetet liria e medias dhe vlerave europiane në Rusi.

“Këshilli Europian thekson edhe njëherë nevojën për të sfiduar fushatat e vazhdueshme disinformuese të Rusisë dhe fton Përfaqësuesen e Lartë të përgatisë deri në qershor për KE-në një planveprimi mbi komunikimin strategjik në mbështetje të lirisë së shtypit dhe vlerave të BE-së”, thuhet në draftin e hartuar. “Mirëpresim vendosjen e një ekipi komunikimi si hap i parë në lidhje me këtë çështje”, shtohej më tej në draftin në fjalë.

Televizionet ruse të financuara nga shteti, si “Russia Today”, të cilat transmetojnë në anglisht, spanjisht, arabisht, gjermanisht dhe frëngjisht, kanë zgjeruar me shpejtësi operacionet e tyre. Ndërkohë që shumë rrjete perëndimore transmetimi i kanë shkurtuar shërbimet në rusisht, që pas Luftës së Ftohtë.

Diplomatët e BE-së kanë thënë se unioni duhet të gjejë një rrugëzgjidhje për t’iu kundërvënë disinformimit, qoftë brenda vetë territorit rus, ashtu edhe në vende europiane si Gjermania, apo në vendet fqinje me Rusisë dhe që janë anëtarësuar në BE, por me minoritete të mëdha rusishtfolësish, si për shembull shtetet baltike.

Televizioni vendas i Rusisë, nën kontrollin e rreptë të shtetit, ka portretizuar kryengritjen proruse në Ukrainën lindore si një reagim spontan pas “grushtit të shtetit” të forcave nacionaliste ukrainase në Kiev. Perëndimi akuzon Moskën se ka nxitur luftimet, duke dhënë ndihma në ushtarë dhe armatime, gjë që Kremlini e mohon.

Nëntorin e kaluar, Rusia nisi një organizatë mediatike të përshtatur me zhvillimet më të fundit teknologjike, të përbërë nga qindra gazetarë jashtë shtetit, me qëllim për të largojë pjesën tjetër të botës nga ajo që e quajti si propagandë agresive të Perëndimit, duke e quajtur atë “Sputnik” (satelit artificial), duke i bërë kështu jehonë Luftës së Ftohtë.

Korrespondentja e “Russia Today” me banim në Londër, Sara Firth, dha dorëheqjen korrikun e vitit të kaluar për shkak të mbylimit që i bëri ky televizion rrëzimit të avionit malajzian “MH17”, duke e akuzuar atë për “keqinformim të dukshëm dhe tronditës”. Ndërkohë, më herët, edhe korrespondentja e “RT” nga Uashingtoni kishte dhënë dorëheqjen, duke e fajësuar këtë rrjet mediatik për “zbukurim” të ndërhyrjes ushtarake të Moskës në Krime.

Top Channel