Poroshenko konfirmon tërheqjen e pro-rusëve nga vija e frontit

10/03/2015 00:00

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha se kryengritësit pro-rusë kanë tërhequr një pjesë të rëndësishme të armatimeve të rënda nga vija e frontit, siç parashikohet në marrëveshjen e armëpushimit.

Poroshenko ka folur në një televizion ukrainas duke thënë se edhe forcat qeveritare ukrainase kanë tërhequr gjithashtu pjesën më të madhe të raketave dhe sistemeve të rënda të artilerisë.

Vetëm tre ditë më parë, Poroshenko akuzoi rebelët se nuk po zbatonin marrëveshjen. Por të hënën ai tha: Rebelët kanë tërhequr pjesën më të madhe të armatimeve, të njëjtën gjë ka bërë edhe ushtria ukrainase.

Poroshenko tha se që prej 15 marsit, kur armëpushimi hyri në fuqi, janë vrarë 64 ushtarë ukrainas. Ndërsa 1546 trupa ushtarake janë vrarë që prej fillimit të kryengritjes.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga evropianët dhe e nënshkruar në Minsk muajin e kaluar duket se qëndron, pavarësisht disa shkeljeve sporadike. Dy palët kanë akuzuar njëra-tjetrën se po përdorin armëpushimin për t’u riorganizuar.

Të paktën 6 mijë persona mendohet të jenë vrarë, ndërsa më shumë se 1 milionë të tjerë janë larguar nga banesat e tyre, që prej fillimit të konfliktit, në muajin prill të vitit të kaluar.

Top Channel