Irak, forcat qeveritare i hapin rrugën ofensivës për Tikritin dhe Mosulin

10/03/2015 00:00

Trupat dhe grupe të ndryshme paraushtarake të Irakut kanë mundur të zmbrapsin militantët e Shtetit Islamik nga qyteti i al-Alam gjatë së martës, një lajm i konfirmuar nga vetë luftëtarët dhe një zyrtar lokal, duke i hapur kështu rrugën një ofensive të re për të rimarrë qytetin fqinj të Tikritit, nga grupi ekstremist.

Shumë familje, të cilat fillimisht ishin larguar nga al-Alam për t’i shpëtuar kontrollit të Shtetit Islamik, janë rikthyer tashmë, duke festuar e duke bërë kurban delet në emër të luftëtarëve fitimtarë.

“Shpall zyrtarisht se qyteti është nën kontrollin e plotë të forcave të sigurisë, njësive të Hashid Shaabi (mobilizim popullor) dhe luftëtarëve të fiseve lokale”, tha kryebashkiaku Laith al-Jubouri. “Po festojmë këtë fitore dhe dëshirojmë që al-Alam të jetë pikënisja për çlirimin e Tikritit dhe të Mosulit”, tha ai për “Reuters”.

Tikrit, vendlindja e ish-presidentit të ekzekutuar Saddam Hussein, është fokusi i një ofensive të ushtrisë dhe grupeve paraushtarake shiite, të njohura si Hashid Shaabi, të mbështetura gjithashtu edhe nga forcat e sunitëve lokalë. Një sulm gjithëpërfshirës në Mosul pritet të ndodhë në ditët e ardhshme të kësaj pranvere.

Ushtria dhe milicitë kontrollojnë tashmë dy qytete në veri dhe në jug të Tikritit, përgjatë luginës së lumit Tigër, teksa duken të gatshëm të futen edhe vetë në qytetin në fjalë.

Zyrtarë të sigurisë thonë se sulmi në Tikrit mund të nisë që nga e mërkura, edhe pse fushata 10-ditore e deritanishme është shënuar më shumë me avancime graduale dhe të qëndrueshme, në vend që të shfrytëzoheshin sulmet e shpejta.

Gjithnjë ka ekzistuar frika se forcat e sigurisë, të dominuara nga shiitët, të mund të hakmerreshin ndaj rezidentëve lokalë sunitë për vrasjet e kryera gjatë kohës që zona kontrollohej prej Shtetit Islamik. Në fshatin fqinj të Albu Ajil, zyrtarë lokalë thonë se shtëpitë e tyre janë djegur, por shenja hakmarrjeje nuk ka pasur në al-Alam.

Top Channel