Gjiknuri dhe homologu Stavileci, vizitë në nënstacionin “Kosova B”

10/03/2015 00:00

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT, Naim Bejtullahu, priti për një vizitë në nënstacionin 400/220 kV “Kosova B” ministrin për Zhvillim Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci, dhe ministrin e Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri.

Bejtullahu njoftoi ministrat me progresin e projektit të linjës së interkonjeksionit 400 kV Kosovë-Shqipëri, i cili po implementohet sipas planit dhe dinamikës së parashikuar.

Ministrat u njoftuan se, deri më tani është realizuar 35% e projektit nga ana e Kosovës. Janë ndërtuar 93 bazamente të shtyllave të tensionit të lartë; janë montuar 60 shtylla; si dhe janë instaluar afro 12 km përçues.

Gjithashtu, edhe çështjet rreth shpronësimeve janë në fazën përfundimtare të përmbylljes së procesit të servitutit në segmentin 3. Qëllimi i vizitës në nënstacionin 400/220 kV “Kosova B” ishte njohja me progresin e punimeve në linjën e interkonjeksionit 400 kV Kosovë-Shqipëri, si dhe njoftimi me rëndësinë e nënstacionit “Kosova B”, i cili paraqet një nyje të rëndësishme në sistemin elektroenergjetik të Kosovës, meqë aty lidhen të gjitha linjat interkonjektive me shtetet fqinje, si dhe linja ndërlidhese me gjeneratorët e Termocentralit “Kosova B”.

Nënstacioni 400/220 kV “Kosova B” gjithashtu paraqet pikënisjen e linjës 400 kV me Shqipërinë, që lidh këtë nënstacion me nënstacionin “Tirana 2”.

Top Channel