Samiti i Eurogrupit për Greqinë, ministrat nuk bien dakord për një deklaratë të përbashkët

09/03/2015 00:00

Megjithë urgjencën për të folur mbi Greqinë, 19 ministrat e financave të Zonës Euro nuk u pajtuan për një deklaratë të përbashkët përfundimtare.

Në fund të takimit, Presidenti i Eurogrupit shpjegoi se u diskutua për hapat e radhës në vijim të vendimit për zgjatjen e ndihmës financiare ndaj Athinës deri në 4 muaj, përtej afatit të skaduar të 28 shkurtit, duke përmendur propozimet e së premtes nga autoritetet helene për reformën ekonomike. Greqia rrezikon një arkë bosh, nëse nuk kryen një sërë reformash në mënyrë që të zhbllokohet kësti i ardhshëm i ndihmës financiare nga huadhënësit.  

““Nuk ka më kohë të tepërt për të humbur. Diskutimet ndërmjet autoriteteve greke dhe institucioneve duhet dhe do të fillojnë të mërkurën me synimin për të arritur një përfundim të shpejtë dhe të suksesshëm për rishikimin. Në këtë kontekst, ne kemi rënë dakord se diskutimet me institucionet do të zhvillohet në Bruksel. Paralelisht, sipas nevojës, ekipet teknike nga institucionet do të jenë të mirëpritura në Athinë me synimin mbështetjen për këtë proces të përbashkët dhe së bashku, po ashtu të mërkurën”, tha Presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem.

“Në këtë fazë, është kyçe që të përshpejtohen përgatitjet mbi këto masa në mënyrë që të zbatohen angazhimet e marra muajin e kaluar nga qeveria greke. Ato duhet të respektohen. Janë baza për zgjerimin e programit”, u shpreh Pierre Moscovici, Komisioneri i BE-së për Ekonominë.

Në shkurt, Greqia i pagoi fondit shpëtues të Eurozonës (EFSF) 474 milion euro.

“Pra, Greqia e bëri në kohë atë pagesë dhe do të jenë edhe 85 milion euro të tjera detyrim ndaj Lehtësimit të Stabilitetit Financiar Europian përgjatë pjesës së mbetur të vitit për pagesat e interesit dhe të tarifave”, tha drejtori menaxhues i Mekanzmit Europian të Stabilitetit.

“Nuk ka trojkë në Athinë”, u shpreh ministri, Yanis Varoufakis gjatë konferencës nacionale për shtyp, por specialistë teknik të institucioneve të mërkurën. Ai siguroi se nuk do të mbahet asnjë lloj referendumi në Greqi, sikundër Eurogrupi u shpreh kundër veprimeve të njëanshme.

19 Ministrat e Financave miratuan deklaratë të përbashkët përfundimtare vetëm mbi zbatimin e draft-buxheteve të planifikuara dhe angazhimet mbi reformat strukturore e buxhetore, ku 7 vende anëtare të Eurozonës rrezikojnë të mos jenë prej dhjetorit në përputhje me rregullat e imponuara nga Pakti për Stabilitet dhe Zhvillim (Belgjika, Spanja, Portugalia, Malta, Austria Franca e Italia).

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel