Grekët ndodhen sot me sytë nga samiti i ri i Eurogrupit, ku është rifokusuar edhe e gjithë vëmendja e BE-së, sidomos pas deklaratave të orëve të fundit të ministrit grek të Financave, Varufakis, te ‘Corierre della Sera’, që nëse partnerët e Greqisë nuk miratojnë reformat e propozuara nga Athina, atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme ose të zhvillojë referendum.

Por, ka mjaftuar një shtesë në kllapa e redaktorit të gazetës italiane se pyetja e referendumit do të kishte të bënte me ekzistencën e Greqisë brenda apo jashtë zonës së euros, që të shkaktojë një reaksion reagimesh në gjithë shtypin europian.

Qeveria greke e ka mohuar këtë sqarim të pathënë nga ana e ministrit të saj, duke theksuar se as që bëhet fjalë për këtë alternativë dhe ka akuzuar gazetën për manipulime në stilin e “shtypit të verdhë”, që duhet t’i korrigjojë menjëherë.

Megjithëse ka zëra që shtatë reformat e reja që pala greke ka çuar kësaj here për t’u miratuar nga huadhënësit në Eurogrup janë më të mira se të parat, përsëri mungesa e besimit nga ana e partnerëve është e dukshme, sidomos nga pala gjermane.

Athina dhe partnerët kanë rënë dakord për një shtesë katërmujore të marrëveshjes së huasë, por vendi ndodhet nën presionin e vazhdueshëm të mungesës së likuiditetit dhe klima politike tensionohet çdo ditë e më shumë midis Greqisë dhe vendeve të tjera anëtare të zonës së euros.

Sipas së përditshmes ‘Süddeutsche Zeitung’, që u referohet qarqeve nga Brukseli, partnerët duan të gjejnë një mënyrë për t’i dhënë Greqisë këstin e fundit të ndihmës, por me kusht që qeveria e Tsipras të pranojë një plan të hollësishëm reformash të kontrolluar nga përfaqësuesit institucionalë të huadhënësve, duke mënjanuar kështu politikën e paqartë të zbatuar deri tani nga Athina.

Sipas analistëve vendas, i ndodhur nën këtë presion, kryeministri Tsipras duhet të gjejë një të mesme të përpjesshme të kërkesave të Eurogrupit, por edhe të premtimeve elektorale, për të cilët ai vazhdon të theksojë se nuk do t’i shkelë kurrë.

Ndërkohë, ai ka shtuar përpjekjet diplomatike duke kontaktuar orët e fundit me kreun e BQE-së, Mario Draghi, dhe presidentin francez, Francois Hollande, ndërsa ka kërkuar që para samitit të lartë të BE-së të takojë edhe presidentin e KE-së, Jean-Claude Juncker.

Top Channel