Siri, sulme të reja ndaj al-Nusra, 9 të vrarë, 4 prej tyre luftëtarë të huaj

08/03/2015 00:00

Bazat e Frontit al-Nusra në Siri vazhdojnë të jenë objekt sulmesh ajrore të forcave qeveritare siriane, por së fundit duket se në operacione po marrin pjesë edhe avionët e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja në luftën kundër ISIS.

Të paktën 9 militantë të grupit terrorist, i cili është dega më e madhe e Al-Kaedës në Siri, mbetën të vdekur pas një sulm ajror të kryer gjatë ditës së diel, ka bërë të ditur Observatori sirian për të drejtat e Njeriut, ku sipas të cilit 4 prej viktimave ishin luftëtarë të huaj. Kombësitë e viktimave nuk janë bërë të ditur.  

Sulmi ajror është kryer pranë kufirit me Turqinë, në provincën e Idlibit, ku javën e kaluar u vranë të paktën 13 prej figurave kryesore të grupit, mes të cilëve edhe komandanti i ushtrisë.

Udhëheqësi i një prej grupeve rebelë në Siri ka thënë se sulmet e fundit nuk janë kryer nga forcat e Asad, por nga ato të koalicionit kundër ISIS.

Megjithatë gjatë javës së kaluar, një zëdhënës i koalicionit të udhëhequr nga SHBA, deklaroi se avionët ushtarakë të tyre nuk ishin përfshirë deri atëherë në luftime, ndërsa për sulmet e fundit ende nuk ka pasur një deklaratë konkrete.

Top Channel