Rritet numri i azilkërkuesve në Gjermani, Ministrja e Landit të Bavarisë: Asnjë mundësi për shqiptarët

07/03/2015 00:00

Numri i azilkërkuesve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian është rritur ndjeshëm. Gjermania është vendi më i kërkuar, ku vetëm në një muaj janë raportuar 1600 azilkërkues shqiptarë.

Ministrja e Shtetit për Europën në Landin e Bavarisë deklaron se shqiptarët nuk kanë asnjë mundësi për t’iu pranuar kërkesa për azil. Beate Merk thotë se Shqipëria konsiderohet një vend i sigurtë origjine. Azili në Gjermani miratohet vetëm për ata njerëz, jeta e të cilëve është në rrezik.

“E mirëkuptoj atë pjesë drejt emigrimit për një jetë sa më të mirë, por dua t’ju bëj me dije azilkërkuesve shqiptarë se nuk kanë asnjë mundësi që në Gjermani t’u pranohet azili. Ka shumë azilkërkues në Gjermani. Masa e parë që ne do të marrim është se nuk do t’u japim më shpërblime në të holla, por vetëm ushqime e veshmbathje. Masa e dytë do të jetë që procedura e azilit do të përshpejtohet në mënyrë që ata, të cilët nuk e përfitojnë azilin të kthehen sa më shpejt në vendin e tyre. Shqipëria është një vend i sigurtë dhe po bën hapa shumë të mëdha për t’u integruar në Bashkimin Europian, ndaj dhe ne do të bëjmë kërkesë që Shqipëria të klasifikohet zyrtarisht si një vend i sigurtë”, thotë Beate Merk, Ministre e Shtetit për Europën e Landit të Bavarisë.
 
Zv.ministrja e Brendshme Elona Gjebrea tha se policia u bën apel qytetarëve shqiptarë të mos shkelin rregullat e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.

“Nuk do të tolerohet asnjë person apo ndonjë grup që mund të abuzojë me lëvizjen e lirë të të gjithë shqiptarëve. Është një lëvizje që të shumë shqiptarë e kanë ëndërruar dhe përfitojnë dhe e shfrytëzojnë në mënyrë të rregullt këtë. Nuk do të lejojmë që për hir të disa personave të kemi këtë situatë. U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes së lirë në zonën Shengen dhe të mos abuzojnë me të”, thotë Gjebrea.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, dhjetëra shtetas shqiptarë ranë pre e një mashtrimi të një agjencie turistike, duke shitur gjithçka në Shqipëri, me qëllim mbërritjen në Gjermani për të kërkuar azil atje.

 

Top Channel