Nishani uron arsimtarët: Puna juaj, e vyer

07/03/2015 00:00

Kreu i shtetit, Bujar Nishani, në një urim publikuar mëngjesin e të
shtunës, u dërgon një mesazh të gjithë arsimtarëve në Shqipëri, me
rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.

“Sot ne kujtojmë me respekt e krenari mësuesit e parë të Mësonjëtores shqipe, pasi vetë hapja e shkollës ishte një fitore e madhe e Rilindjes sonë Kombëtare. Dita e Mësuesit është dita kur ne i kujtojmë të gjithë mësuesit tanë që nga çasti kur u ulëm për herë të parë në bankat e shkollës, dhe më pas, mësuesit e të gjithë brezave, sepse e gjithë jeta është një shkollë pambarim. Çdo 7 Mars i falënderojmë për punën e vyer, por edhe të vështirë që bëjnë duke arsimuar, edukuar, reformuar dhe transformuar nxënësit e tyre në profesionistë të zotë dhe qytetarë të denjë për t’i shërbyer atdheut tonë të përbashkët”, shkruan Nishani në urimin e tij.

Duke folur për reformat në fushën e arsimit, Presidenti thekson se ato nuk mund të sigurohen pa përparimin dhe zhvillimin e personalitetit të mësuesve, në pikëpamjen metodike dhe didaktike.

“Mësuesi i epokave si kjo e jona, duhet ta shkrijë energjinë dhe kujdesin e tij jo vetëm brenda mureve të ngushta të shkollës. Lufta e gjithë jetës së sotme shoqërore për edukim, e cila dita-ditës lipset të bëhet më e organizuar dhe më e qendërzuar, i ngarkon mësuesit dhe pedagogut detyra më të rënda, më delikate, por dhe më të shenjta. Po nga ana tjetër, pikërisht falë këtij misioni që i cakton koha, mësuesi duhet të jetë në qendër të përkujdesit dhe mirë-trajtimit që duhet të ndjekë ndaj tij politika jonë arsimore.Sot, në Ditën e Mësuesit, një urim të veçantë shkon edhe për një plejadë mësuesish në pension, të cilët kanë qenë modele të shkëlqyera dhe një pasuri e vyer e intelektualëve shqiptarë, të cilët shërbyen me dashuri e përkushtim dekada e dekada me radhë”, shkruan në mesazhin e tij, Presidenti Nishani.

Top Channel