Tiranë, hapet Qendra Rinore, së shpejti edhe në qytete të tjera

06/03/2015 00:00

Qendra Rinore, e cila pak kohë më parë u bë objekt konflikti mes Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Bashkisë Tiranë, është inauguruar me prezencën e ministrit Erjon Veliaj dhe Kryeministrit Edi Rama, çka nuk mbeti jashtë vëmendjes në fjalët e tyre kur thanë se pavarësisht kundërshtimit, edhe Lulzim Bashës i është dërguar një ftesë për të qenë pjesëmarrës.

“Do të doja shumë që edhe ata që u përpoqën për ta bllokuar qendrën rinore të ishin këtu sot”, tha Veliaj.

“Me siguri, e kanë çuar ftesën te Bashkia e Tiranës dhe kryetari nuk është aty. Kështu që nuk është se s’ka dashur të vijë, por nuk i ka arritur ftesa. Ai ka kohë që ka ikur nga Bashkia e Tiranës. Gjithsesi jam i bindur se kur ta dëgjojë përmes meje dhe përmes televizionit se u hap kjo qendër, ai sërish nuk do të vijë sepse nuk merret me Tiranën”, tha Kryeministri Rama.

Qendra Rinore e Tiranës do të pasohet me të tjera në qytete të ndryshme të vendit, qendër që në pritshmërinë e iniciuesve do të synojë nxitjen e ideve dhe projekteve për rininë.

Pa bërë të qartë nëse do të ishte apo jo prezent Lulzim Basha në këtë aktivitet, Bashkia e Tiranës ka reaguar duke deklaruar se kryebashkiaku nuk ka marrë ftesë për përurimin e qendrës, çka riprovon, sipas bashkisë, faktin se Edi Rama është jo vetëm i paaftë, por edhe gënjeshtar, thotë njoftimi i institucionit të drejtuar nga Lulzim Basha.

Top Channel