Përgjimet në Maqedoni, Jankullovska: Shqiptarët të kapen prej fyti. Të mos dalin në votime

06/03/2015 00:00

Kryetari i partisë maqedonase në opozitë LSDM, Zoran Zaev, në një konferencë për media publikoi dëshmi që, sipas tij, shpalosin shkeljet e rënda që ka bërë Qeveria e Nikolla Gruevskit gjatë proceseve të kaluara zgjedhore.

Sipas liderit të opozitës, nga bisedat e përgjuara telefonike mes zyrtarëve të Qeverisë zbulohen edhe manipulimet e kryeministrit Gruevski me votuesit, që i ka sjellë nga Pusteci i Shqipërisë për të votuar për partinë e tij VMRO-DPMNE.

“Nga materialet e përgjuara do të dëgjoni për krimin me votuesit e rremë, ku marrin pjesë kryeministri Nikolla Gruevski dhe ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska. Do të dëgjoni se si Jankullovska e pranon se, në disa shtëpi prej 40 metra katrorësh janë vendosur nga 50 persona prej Pustecit të Shqipërisë, të cilëve policia u ka dhënë karta identiteti, sipas marrëveshjes me kryeministrin Gruevski për të votuar për VMRO-DPMNE-në”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Kreu i LSDM-së tha se bisedat e përgjuara të kryeministrit Nikolla Gruevski, ministres së Brendshme Gordana Jankullovska, ministrit të Trasportit Mile Janakievski dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, zbulohen presionet e shumta ndaj qytetarëve për të votuar për partinë VMRO-DPMNE.

“Po publikojmë dëshmi për gjithçka që kanë bërë, duke nisur nga krimi me kartat e falsifikuara të identitetit. Po ashtu posedojmë dëshmi për presionet ndaj firmave përmes gjobave të larta. Në këto materiale ka fakte edhe për presionet ndaj bujqve, të punësuarve në administratë, mësuesve dhe pensionistëve, për të votuar për VMRO-DPMNE-në”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Në njërën nga bisedat e publikuara, ministrja e Brendshme Jankullovska i pohon ministrit Janakievski se gjatë fushatës zgjedhore, ngjashëm me VMRO-DPMNE-në vepron edhe partneri shqiptar i koalicionit BDI.

Në një bisedë tjetër, duke folur për zgjedhjet lokale në Kumanovë, kryeshefja e policisë maqedonase, Gordana Jankullovska, thotë se shqiptarët në këtë komunë duhen kapur prej fyti dhe nuk duhen lejuar të dalin në votime.

Top Channel