Sulmohet ambasadori amerikan në Korenë e Jugut

05/03/2015 00:00

Ambasadori amerikan në Korenë e Jugut ka mbetur i plagosur, pas një sulmi me një send të mprehtë. Ngjarja është konfirmuar nga zyrtarët koreanë.

Sulmi ndaj 42-vjeçarit, Mark Lippert, ndodhi mëngjesin e së mërkurës, pak para një takimi që ai kishte në kryeqytet. Mediat koreane publikuan foto dhe video të ambasadorit, i cili pati gjakderdhje në fytyrë dhe në dorë. Lippert u dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme.

Autoritetet vendase kanë bërë të ditur se autori i kësaj ngjarjeje është një 55-vjeçar, i cili u neutralizua menjëherë nga oficerët e sigurimit dhe më pas u arrestua.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Mark Lippert nuk ka asnjë rrezik për jetën.

Autori i sulmit ka hyrë në sallën ku do të mbahej konferenca dhe ka bërtitur: “Koreja e Jugut dhe Koreja e Veriut duhet të ribashkohen” dhe më pas ka sulmuar ambasadorin. 55-vjeçari ka shprehur pakënaqësitë e tij edhe ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të zhvilluara nga Koreja e Jugut dhe SHBA-ja çdo vit, stërvitje që janë duke u zhvilluar edhe aktualisht.

Koreja e Veriut e ka përshkruar stërvitjen, në të cilën marrin pjesë më shumë se 200 mijë trupa, si një provë për pushtim dhe ka premtuar se do të hakmerret.

Megjithatë, BBC shkruan se ende nuk është e qartë nëse autori është një agjent i Koresë së Veriut.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara i uroi zotit Lipper shërim sa më të shpejtë. Ndërkohë që Departamenti Amerikan i Shtetit e dënoi sulmin.

Mark Lippert, një ish-ndihmës sekretar amerikan i Mbrojtjes, u emërua ambasador në Korenë e Jugut në vitin 2014.

Top Channel