Dita e katërt e ofensivës për marrjen e Tikritit nga ISIS

05/03/2015 00:00

Rreth 30 mijë ushtarë irakianë dhe luftëtarë të milicisë shiite kanë nisur një operacion masiv luftarak për të rimarrë qytetin e Tikritit prej kthetrave të ISIS-it.

Operacioni ka hyrë në ditën e katërt dhe zyrtarët në Bagdad njoftojnë se ka patur përparim duke vënë nën kontroll rrethinat e qytetit.

Sulmi ka nisur njëkohësisht në veri, jug dhe lindje të qytetit të vendosur buzë lumit Tigër. Marrja e tij konsiderohet si strategjike për luftën kundër ISIS-it dhe si një katapultë për objektivin kryesor, marrjen e Mosulit, qyteti i dytë më i madh i vendit.

Ndërkohë, Organizata e Kombeve të Bashkuara deklaroi se luftimet kanë zhvendosur deri më tani mbi 30 mijë civilë. Pjesa më e madhe e tyre është drejtuar për në qytetin fqinj Samarra, por ka edhe nga ata që kanë mbetur të bllokuar nga luftimet.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë paralajmëroi për rrezikun që u kanoset civilëve në zonat sunite nga milicitë shiite. Këto të fundit janë aleatet kryesore të ushtrisë së rregullt irakiane në luftën kundër ISIS-it dhe ka raportime se në disa raste kanë qenë autore të vrasjeve, dëbimeve dhe përdhunimeve të civilëve.

Top Channel