Ambasadori Donald Lu në Top Channel

05/03/2015 00:00

Ambasadori amerikan Donald Lu ka vizituar të enjten kompleksin e madh të Top Channel dhe është takuar me drejtuesit e televizionit dhe emisioneve kryesore në Top Channel.

Në këtë vizitë të parë të tij në televizion, ambasadori Lu është njohur me studiot e programeve të Top Channel, atyre argëtuese si “Portokalli”, “E Diell”; emisioneve politike si “Top Story” e “Shqip”; dhe emisionin “Fiks Fare”, ku edhe është takuar me stafin e disa prej tyre, të cilin e ka gjetur në momente provash apo regjistrimi.

Përveç studiove të reja, ambasadori Lu ka parë nga afër të gjitha ambientet e reja të kompleksit Top Channel, godina kryesore e të cilit është duke u kompletuar përfundimisht.

Gjatë vizitës në të gjithë kompleksin e Top Channel, ambasadori Lu ka vizituar edhe ambientet e punës dhe ka vlerësuar shumë investimin e kryer në një media kaq të rëndësishme sa Top Channel. Ai është njohur me detaje nga drejtuesit e Top Channel dhe gazetarët, me punën dhe përditshmërinë në televizion.

Në takimin që pati me ta, ambasadori Lu ka diskutuar për çështje që lidhen me rolin e madh që ka media në Shqipëri, në të gjitha proceset që kalon vendi, për zhvillimin dhe përmirësimin e standardeve dhe afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian. Gjatë takimit janë diskutuar edhe çështje të aktualitetit të ditëve të fundit.

Në fund, ambasadori Lu falënderoi drejtuesit e Top Channel për pritjen dhe prezantimin, duke premtuar kthimim sërish.

FOTO GALERI
2/13

Top Channel