Ukrainë, pak shpresa për mbijetesën e 23 minatorëve të bllokuar. 10 viktima

04/03/2015 00:00

Dhjetëra minatorë kanë mbetur të bllokuar nëntokë dhe me shumë mundësi mund të kenë humbur jetën, pas shpërthimit të fuqishëm të së mërkurës në një minierë qymyrguri, në rajonin lindor të Ukrainës të kontrolluar prej rebelëve, Donjeck.

Kreu i Parlamentit ukrainas, Volodymyr Groysman, është cituar nga
agjencia shtetërore e lajmeve, Ukrinform, të ketë thënë se 1 person ka
humbur jetën, ndërsa 32 të tjerë kanë mbetur të bllokuar. Vetëm pak më vonë, krerë të administratës lokale kanë njoftuar se janë nxjerrë edhe 9 trupa të pajetë, duke e çuar numrin e viktimave në 10, ndërsa 23 të tjerë janë ende të pagjetur.

Zyrtarë të minierave thonë se shpërthimi me shumë mundësi është shkaktuar nga gazi dhe nuk është i lidhur me luftimet në frontin shumë pranë minierës, ku janë përleshur shpesh rebelët e mbështetur nga Moska me forcat qeveritare të Kievit. Megjithatë, Kievi ka bërë të ditur se lufta e bën këtë tragjedi edhe më të rëndë, duke akuzuar separatistët se po pengojnë përpjekjet për shpëtim duke kufizuar qasjen në minierë.

Jashtë portave të minierës Zasyadko, rreth 30 të afërm presin në ankth informacione për ndonjë të mbijetuar. Një minator i plagosur gjatë shpërthimit është futur mes turmës, fytyra e tij ishte e mbushur me të gërvishtura, ndërsa një krah e kishte të palëvizshëm për shkak të nëj klavikule të thyer.

Minatori Sergei Baldayev tha se 5 trupa janë nxjerrë deri më tani nga zona e shpërthimit, në një tunel të thellë nëntokësor. Motra e një tjetër minatori, e cila ndodhej shumë pranë pusit gjatë shpërthimit, Alexei Novoselsky, shpërtheu në të qara. “Më thoni nëse ka të mbijetuar. Pse po na e fshihni të vërtetën”, tha ajo, teksa ekipet lokale të shpëtimit u përpoqën ta qetësonin.

Zyrtarët refuzojnë të japin shifra të sakta për numrin e minatorëve të humbur apo të vdekur. Ndërsa një zyrtar i ekipeve të shpëtimit, duke folur në kushte anonimiteti, tha se “Janë rreth 30 persona të pagjetur deri më tani dhe me shumë mundësi për ta nuk ka shpresë”.

Edhe një tjetër minator, Eduard Dmitrenko, i cili hyri në vendngjarje pas shpërthimit, tha se ka 20 apo më shumë trupa. Me shumë mundësi ata nuk kanë mundur të mbijetojnë, por “me siguri që do të gjejnë trupat e tyre të pajetë”.

Nga Kievi, kryeministri Arseny Yatseniuk tha se punonjës të kërkim-shpëtimit janë dërguar nga autoritetet qendrore, “por terroristët rusë nuk i lejojnë ata të shkojnë në vendin e aksidentit”, tha ai, duke përdorur termin e zakonshëm të Kievit për të përshkruar separatistët.

I pyetur nëse ka mundësi që të bllokuarit në minierë të mbijetojnë, një pjesëtare e stafit mjekësor tha se “mundësitë sa vijnë e zvogëlohen, për shkak të metanit, ajrit të nxehtë dhe djegieve në rrugët e frymëmarrjes”. Ajo shtoi se ishin dërguar dy autobusë në vendngjarje për të transportuar më pas trupat e viktimave.

Top Channel