Greqia bën gati planin e shpëtimit, Merkel: Do ta vlerësojë Trojka

04/03/2015 00:00

Është gati plani me të cilin qeveria greke e Alexis Tsipras shpreson të bindë Evropën se përpjekjet e Athinës janë të mjaftueshme për të siguruar zgjatjen e ndihmave edhe për katër muaj.

Plani përmban 6 pika, mes të cilave spikasin: lufta ndaj evazionit fiskal, taksat dhe masat kundër varfërisë. Ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis ka deklaruar se të hënën e ardhshme këto pika do t’i prezantohen Eurogrupit.

Sipas raportimeve të shtypit grek, mes masave të parashikuara për të luftuar varfërinë janë: ofrimi i ushqimit, strehimit dhe energjisë elektrike për shtresat e dobëta.

Burimet saktësojnë se e ashtuquajtura “krizë humanitare” do të jetë e para që Varoufakis do t’i prezantojë Brukselit, e ndjekur nga reforma administrative. Më pas parashikohet edhe një ndërhyrje që synon zgjidhjen e çështjes së borxheve kundrejt fondeve shtetërore.

“Objektivi është që të binden grekët që të paguajnë taksat, duke krijuar një “ndërgjegje fiskale” në vend. Borxhet nuk do të shkurtohen dhe ligji do të synojë vlerësimin e taksapaguesve të ndershëm”, kanë sqaruar burime qeveritare greke.

Ndërsa pikat e tjera kanë të bëjnë me reformimin e administratës fiskale, unifikimin e taksave vendore, të përdorura për pastrimin e rrugëve dhe mbledhjen e mbeturinave, si dhe ngritja e një agjencie të re që do të kryejë verifikimet fiskale.

Por Gjermania duket se mbetet e ftohtë. Kancelarja Angela Merkel ka kujtuar për të disatën herë se, po bën të pamundurën për të siguruar që programi i dytë të kompletohet, megjithatë ka edhe një “por”.

“Parlamenti gjerman ka votuar në favor të Eurogrupit, por Trojka do të vlerësojë gjithçka që grekët kanë planifikuar”, ka thënë Merkel.

Nxjerrja nga pluhuri i fjalës “Trojka” me siguri nuk do t’i pëlqejë shumë Athinës zyrtare, me kryeministrin Tsipras që shpresonte ta kishte arkivuar.

Ndërsa ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble i ka kujtuar palës helene se para se të marrë ndihma të tjera duhet të respektojë angazhimet e marra përsipër.

Top Channel