Si bien vajzat në kurthin e xhihadit? Djem simpatikë për t’i joshur

03/03/2015 00:00

Nutela? Qenushë? Pak e vështirë të besohet sesi adoleshentet perëndimore mund të tërhiqen në radhët e ISIS-it me gjëra që në vendet e tyre i kane me tepri.

Por pretendimet e një ish-ekstremisteje se për të joshur vajza të reja, sidomos myslimane britanike, Shteti Islamik përdor militantët e tij më tërheqës nuk tingëllojnë aq të pabesueshme.

Vajza, që për të mbrojtur identitetin e vet përdor emrin e rremë Aisha, sot është tek të 20-at. Në rrëfimin e bërë për BBC, ajo tregon se për herë të parë ekstremistët e kishin kontaktuar kur kishte qenë 16-17 vjeç.

Një djalë i kishte dërguar një mesazh në Facebook ku i thoshte se, i dukej tmerrësisht tërheqëse, por e këshillonte që të mbulohej, sepse një bukuri e tillë duhej konsideruar tepër e vyer.

Fillimisht u bezdisa, thotë Aisha, pastaj u bëra kurioze dhe nisa të kërkoja në internet, ku të gjitha imazhet e militantëve çuditërisht tregonin djem tepër simpatikë.

“Mendova: sa të pashëm, sa mirë do të ishte të gjeja një njeri të tillë, që për më shumë praktikon dhe fenë time”, vijon tregimi i vajzës.

Ftesat që shkonin në adresë të saj ishin ndjellëse: “Nxito të jesh me të përpara se të vdesë. Dhe kur të bjerë në luftë si martir mund të shkoni bashkë në parajsë”. Por ky qe vetëm fillimi i tërheqjes në kurthin e radikalizimit.

“Na mësonin ta shihnim Britaninë si një shtet që nuk i donte myslimanët dhe për pasojë duhej konsideruar armik. Mos i besoni një shteti të tillë, na thanë, mos i besoni policisë, mos i dërgoni fëmijët tuaj në shkollat shtetërore”, tregon Aisha mesazhet e islamikëve, që duke u ushqyer me bindjet fetare të vajzave të reja, përsërisnin vazhdimisht edhe kërcënimin se kush nuk bindej do të përfundonte në ferr.

Aisha pohon gjithashtu sesi njerëzit me të cilët kishte bashkëpunuar dikur e shohin me adhurim xhelatin Mohammed Emwazi. “Xhihadisti John është një model për ta. Është njeriu me të cilin krenohen të gjithë”, tregon më tej vajza.

Top Channel