Rusia përcjell Nemtsov; Kremlini kufizon pjesëmarrjen e politikanëve të huaj

03/03/2015 00:00

Në Moskë është zhvilluar të martën ceremonia mortore e liderit të vrarë të opozitës, Boris Nemtsov, i cili u qëllua për vdekje pak ditë më parë në mes të kryeqytetit rus.

Në ceremoni, vec familjarëve, kanë marrë pjesë eksponentë të shumtë të partive të opozitës, ish-zyrtarë të Kremlinit dhe ambasadorë.

Varrimi u parapri nga një ceremoni publike në qendrën e të drejtave të njeriut “Andrei Sakharov”, ku mijëra qytetarë bënë homazhet e tyre para arkivolit me trupin e të ndjerit.

Figura të ndryshme politike të huaja dhe ruse u ndaluan të merrnin pjesë në varrim. Mes tyre, Bogdan Borusewicz, kryetar i Senatit polak që do të udhëhiqte një delegacion nga vendi i tij, por që iu mohua viza.

Administrata ruse deklaroi se ai ndodhet në listën e zyrtarëve polakë të cilëve u ndalohet hyrja në Rusi për shkak të sanksioneve të Perëndimit lidhur me krizën në Ukrainë.

Politikania letoneze Sandra Kalniete, të cilës iu ndalua hyrja kur mbërriti në aeroportin Sheremetyevo të Moskës. “Unë nuk po shkoja në Rusi për të bërë deklarata politike e as për të ofenduar njerëzit. Po shkoja për t’i bërë homazhe Boris Nemtsov, të cilin e konsideroj një nga personat më të admirueshëm të politikës ruse”, deklaroi Kalniete.

Liderit tjetër të opozitës ruse, Alexei Navalny, që ndodhet në burg për një dënim 15-ditor për shpërndarje fletushkash që bënin thirrje për protestë, nuk iu dha leje për të marrë pjesë në varrim.

Navalny e apeloi këtë vendim të gjykatës, por apeli i tij do të shqyrtohet vetëm të mërkurën, një ditës pas ceremonisë mortore.

Ndërkohë, ish-kryeministri britanik John Major, të cilit iu lejua pjesëmarrja, u shpreh se, kjo ishte vizita më e trishtueshme e tij në Moskë.

Nemtsov, një kritik i ashpër i presidentit Vladimir Putin, u vra natën e së premtes në një urë pranë mureve të Kremlinit. Dhjetëra mijëra persona marshuan të dielën në rrugët e Moskës në nder të tij, me opozitën që deklaron se rreth 50 mijë njerëz morën pjesë në marshim.

Vetë Nemtsov duhet të drejtonte një protestë të opozitës atë ditë, por vrasja e tij bëri që ajo të kthehej në një manifestim të heshtur.

Aleatët e të ndjerit kanë akuzuar Kremlinin për përfshirje në vrasje, ndërsa presidenti Putin e dënoi krimin duke e cilësuar si “të ulët” dhe “provokues” dhe duke u zotuar për të gjetur vrasësit.

Top Channel