Prifti kanadez zhduket në Korenë e Veriut

03/03/2015 00:00

Autoritetet fetare në Kanada kanë denoncuar mungesën e një kolegu, që sipas tyre nuk është kthyer në vend pas një misioni humanitar në Korenë e Veriut.

Prifti Hyeon Soo Lim, 60 vjeç, udhëtoi për në Korenë e Veriut më 31 janar dhe pritej të largohej prej andej më 4 shkurt.

Ai ka qenë edhe herë të tjera në vendin e izoluar komunist, bëri të ditur kisha e tij, por ky është rasti i vetëm që me të nuk ka pasur asnjë kontakt.

Autoritetet kanadeze kanë deklaruar se janë në kontakt me familjarët e priftit dhe se i kanë ofruar asaj asistencë ligjore.

Korea e Veriut periodikisht i ndalon vizitorët e huaj, sidomos ata të lidhur me aktivitete fetare, që janë shumë të kufizuara në këtë vend.

Shtetasit amerikanë janë ata që zakonisht mbahen më gjatë në burgim, me autoritetet koreano-veriore që përpiqen të nxjerrin prej tyre informacione politike.

Por për qytetarët nga vende që kanë një rëndësi politike më të ulët për Penianin zakonisht lirohen shpejt. Një misionar australian i ndaluar në shkurt të 2014-s për vendosje të materialeve fetare në një pikë turistike u dëbua nga vendi.

Autoritetet fetare në Kanada pyesin nëse at Hyeon është ndaluar në kuadër të procesit “karantina 21-ditore”, që autoritetet e vendit aziatik zbatojnë për udhëtarët që mund të jenë ekspozuar ndaj virusit të Ebolës.

“Ne nuk duam të shkaktojmë histeri të panevojshme. Ne thjesht duam të sigurohemi se ai është mirë”, tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” Lisa Pak, zëdhënëse e kishës së komunitetit korean në Toronto.

“Ai nuk ka lidhje me politikën, por do vetëm të ndihmojë njerëzit”, shtoi zëdhënësja, e cila saktësoi se at Hyeon ofron ndihmë për azilet e të moshuarve dhe jetimëve në Korenë e Veriut.

Top Channel