Krimet ndaj natyrës së egër, OKB: Fitimprurëse si trafiku i drogës

03/03/2015 00:00

Tre marsi është Dita e Dytë Botërore e natyrës së egër, e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 dhjetor 2013.

Këtë vit në fokus të saj janë krimet kundër faunës dhe florës, të cilat
çdo vit po marrin përmasa të frikshme dhe po u sjellin fitime
marramendëse grupeve kriminale.

“Tregtia ilegale e florës dhe faunës së egër është kthyer në një formë kriminaliteti ndërkombëtar, i krahasueshëm me shembuj të tjerë si trafiku i drogës dhe i qënieve njerëzore”, shkruan sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon në një mesazh.

Sipas numrit 1 të Kombeve të Bashkuara, kjo tregti është nxitur nga rritja e kërkesës dhe shpesh herë lehtësohet nga korrupsioni dhe qeveritë e dobëta.

Madje, tashmë ekzistojnë prova të forta për një përfshirje më të madhe të krimit të organizuar dhe grupeve të armatosura.

Në mesazhin e tij, Ban u bën apel qeverive të vendeve të ndryshme që të përforcojnë ligjet, si dhe kompanive dhe konsumatorëve që mund të luajnë një rol të rëndësishëm me refuzimin e blerjes apo shitjes në ankand të fildishit apo të bririt të rinocerontit.

“Produktet që vijnë nga oqeanet apo pyjet tropikale duhet të sigurohen në rrugë të ligjshme dhe në mënyrë të mbikëqyrur. Është koha që krimet kundër natyrës t’i marrim seriozisht”, përfundon mesazhin Ban Ki Moon.

Të ardhurat vjetore të këtij aktiviteti kriminal arrijnë në 213 miliardë dollarë, një pjesë e të cilave përdoren për të financuar grupe terroriste, duke kërcënuar sigurinë dhe zhvillimin e shumë vendeve të brishta.

Tre marsi është zgjedhur me rastin e firmosjes së konventës mbi tregtinë ndërkombëtare të specieve në rrezik zhdukjeje, më 3 mars 1973 në Uashington.

Top Channel